Autoambulanca u rrotullua, vdes pacienti që po transferohej nga Gjilani në QKUK

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bresalc të Gjilanit.

Autoambulanca e cila po transportonte një pacient nga Spitali i Gjilanit drejt Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, u rrotullua.

Me këtë rast pacienti i cili po transportohej për në Prishtinë, ka ndërruar jetë.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Me datën 29.01.2020, rreth orës 23:00 jemi informuar nga QKUK-ja në Prishtinë se pasagjeri që ishte transferuar në QKUK për trajtim mjekësor nga lëndimet e marra në aksidentin e komunikacionit kishte ndërruar jetë. Lidhur me rastin e kemi informuar prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i të ndjerit të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”- tha Hashani.

“Nuk dihet nëse deri tek vdekja ka ardhur si pasojë e aksidentit me autoambulancë, apo komplikimeve tjera shëndetësore”- shtoi Hashani.