Ata që sot po kërkojnë “kryeministër shqiptarë”, të parët do ta votojnë kryeministrin maqedonas pas zgjedhjeve

Fejzi HAJDARI

O Zot, sa të mirë janë këta të BDI-së para zgjedhjeve. Për t’i marrë mësysh! Posaçërisht, kur janë të dobët. Sa patriotë të mëdhenj bëhen!. E pyet njeriu veten, a ishin këta që shanin nëna e baballarë shqiptarve, a nuk janë?!
Është kënaqësi t’i dëgjosh dhe shikosh. Premtojnë president, kryeministra, përralla me mbret, e përralla me tupan. Lëre që premtojnë, por janë të lezetshëm kur mendojnë se po ju besojmë.
E patë sot Izet Mexhitin? Ende nuk janë mbuluar në Çair gropat e rrugëve nga qeverisja e tij e dështuar, ai del na premton kryeministër.
Mos more! Çka po të duken ty shqiptarët? Pse fshiheshit para zgjedhjeve lokale në Çair? Që të mos ua kujtosh qytetarëve politikat tua të dështuara dhe të partisë tënde në këtë komunë! E tani ti do na bësh kryeministër!!!. Ruana Zot!.
Ndoshta edhe do t’ju besonim, sikur të mos i kishim dëgjuar “incizimet”. Do t’ju besonim, sikurse mos të kishim periudhën trevjeçare me BDI-në e dobët, 2017-2020.
Periudhë kjo në të cilën nuk ndodhi asnjë rast, ku u vranë dhe u dënuan shqiptarët e pafajshëm, siç ndodhnin gjatë mandateve të mëhershme. Pastaj për shqiptarët e Maqedonisë është e freskët edhe përvoja e hidhur me Isa Mustafën në Kosovë. Para zgjedhjeve e kandidoi Vjosa Osmanin për kryeministre, e pas zgjedhjeve bëri pazare me Hashim Thaçin, për të rrëzuar Albinin e Vjosën, e për të formuar Qeverinë K(H)oti.
E njëjta po u përgatitet shqiptarëve në Maqedoninë e veriut. Tani na premtojnë kryeministër shqiptar, kurse pas zgjedhjeve deputetët e tyre do të vrapojnë të parët, cili ta votojë kryeministrin maqedonas. Do të gjejnë arsyetime, jemi mësuar. Kur gjenin arsyetime të votojnë Gruevskin deri sa ndodhnin tragjeditë si “Monstra” e “Lagja e Trimave”, do të gjejnë arsyetime për të hequr dorë edhe nga ideja për kryeministër shqiptar. E kanë shumë lehtë, kanë përvojë. Ata nuk heqin dorë nga projektet dhe çështjet që janë në interes të maqedonasve, se sa për projektet që janë në interes të shqiptarëve, si statusi i UÇK-së, heqin dorë sa çel e mbyll sytë. Po nuk do ta kenë më atë kënaqësi, e as atë mundësi. Besoni!
Nuk lejojnë më shqiptarët të mbjellë Ali Ahmeti. Sepse, çdo herë ku ka mbjellë Ali Ahmeti, ka korrë vetëm Nikolla Gruevski me Sasho Mijallkovin. Shqiptarët nuk kanë harruar, se për ta BDI e Ahmeti kanë mbjellë vetëm thera e gjemba që i kanë gjakosur.
Shqiptarët tani e kanë gjetur formulën magjike: Sa më e dobët BDI-ja, aq më pak aksione të montuara policore dhe gjyqësore. Kush na garanton se nëse kthehet BDI-ja e fortë, nuk do të kthehen edhe proceset si “Monstra” e “Lagja e Trimave”, kur ju kishit 20 deputetë? Nuk ja bëjnë shqiptarët të keqen vetvetes, rrini rehat!. Edhe sikur të na premtojnë pejgamber (profet), e jo kryeministër.