Asnjëri nga pasagjerët e aeroplanit për në Finlandë nuk ka pasur vendim për izolim për shkak të Covid-19

Asnjëri nga 157-të pasagjerët të cilët me aeroplan nga Shkupi të shtunën kanë shkuar për në qytetin finlandez Turku, nuk kanë pasur vendim për izolim si raste pozitive me Covid-19, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

“Asnjëri prej tyre nuk është regjistruar në bazën e rasteve pozitive me Covid-19 në vendin tonë, që do të thotë nuk kanë vendim për izolim si raste pozitive nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor”, potencojnë nga MSH pas kontrolleve të kryera për të gjithë pasagjerët e aeroplanit.

Autoritetet finlandeze dje kumtuan se 24 nga 157-të pasagjerët të cilët arritën në Turku nga Shkupi pas testimeve të kryera vullnetare ishin pozitivë të Covid-19.

Sipas informatave të Shërbimeve nga Aeroporti i Shkupit dhe policia kufitare, shumica e 157-të pasagjerëve në aeroplan janë shtetas të Kosovës dhe të Finlandës, ndërsa vetëm dy janë qytetarë të Maqedonisë. Pjesa më e madhe kanë udhëtuar me pasaporta të Kosovës (95), me pasaporta finlandeze (60), ndërsa të tjerët janë me pasaporta të Maqedonisë (2), shqiptare, bullgare, suedeze dhe estoneze.

Bëhet fjalë për pasagjerë, mërgimtarë, të cilët vijnë në Maqedoni ose tranzitojnë përmes vendit për arsye të ndryshme, ndërsa pastaj kthehen në punë në Evropën Perëndimore, për të cilët me leje qëndrimi ose shtetësi të BE-së nuk vlejnë restriksionet gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi.