Asnjë konkluzion nga mbledhja e komisionit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Zero rezultat nga takimi i tensionuar dyditor i Komisionit të Përbashkët të Historianëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Përmes përplasjeve të vazhdueshme gjatë konferencës së përbashkët për media, krerët e dy palëve pasqyruan dallimet e mëdha jo vetëm për çështje thelbësore por edhe për ato teknike, për çka assesi të përafronin qëndrimet.

Sot është bërë 0 progres, as edhe 1 hap i vogël. U paraqit problem teknik, gjatë së cilës kolegët tanë refuzuan të nënshkruanin procesverbalet, këmbëngulën që gjithkund të përdorej termi “maqedonase”. Duke e bllokuar nënshkrimin e procesverbaleve të dy takimeve të mëparshme, punët duken të pasigurta, mungon dëshira për të punuar seriozisht. Jemi shumë shumë larg përfundimit të punës së librave për klasën e gjashtë, për periudhën e Mesjetës. Ky takim i njëmbëdhjetë tregoi se po lëvizim si breshkë, nuk ka dëshirë për marrëveshje- deklaroi Angell Dimitrov, Kryetar i palës nga Bullgaria.

Takimi kaloi në atmosferë akademike me diskutim shumë dimensional, që nuk dha asnjë rezultat. Pjesa më e madhe iu kushtua procesverbaleve. Ka dy procesverbale të panënshkruara, problem kryesor u bë përdorimi i mbiemrit “maqedonase”. Shpresoj se do të gjendet zgjidhje. Filluam me librat e klasës së tetë, nuk arritëm pajtim. Problemi është se mungon inkorporimi i multiperspektivës dhe dëshira që të imponohet vetëm një pikëpamje, këtë nuk arritëm ta tejkalojmë me kolegët bullgarë- pohoi Dragi Gjorgjiev, Kryetar i palës nga Maqedonia e Veriut.

Jo vetëm që nuk u arrit progres për periudhën e Mesjetës dhe aq më pak për figurën e Goce Dellçevit, për të cilin ishte biseduar vetëm gjatë gjysmë orës së fundit. Këtë herë palët ishin përplasur edhe për periudhën e Car Samoilit, për të cilën figurë historike parimisht gjatë takimeve të mëparshme ishin dakorduar ta shënonin bashkërisht. Ndër tjerash, Dimitrov shtoi se historianët bullgar nuk janë të varur nga politika bullgare, por se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë analizë vetë-kritike për të kaluarën jugosllave./Alsat