Asllani flet si lojtari i Interi, ka një mesazh për tifozët

Mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani, edhe zyrtarisht nga sot është lojtari më i ri i gjigantit italian, Inter.

Asllani ka nënshkruar kontratë pesë vjeçare me Interin, dhe do ta bartë numrin 14 në fanellën e tij.

“Është një emocion i mrekullueshëm, veshja e kësaj fanelle në moshën 20-vjeçare është vërtet një emocion unik për mua. Mezi pres të fillojë këtë sezon, do të përpiqem të jap më të mirën time”, tha shqiptari.

Këto janë fjalët e para të lojtarit të ri të Interit, ku ish-mesfushori i Empolit ka dhënë një intervistë për mikrofonat e “Nerazzurrëve”.

“U largova nga Shqipëria kur isha 2 vjeç, bëra gjithçka në Itali, nga shkolla deri në hapat e parë në futboll, nuk do ta kisha imagjinuar të gjithë këtë. Nuk e lashë kurrë topin kur isha i vogël, tani shikoj të gjitha ndeshjet dhe përpiqem t’i vjedh sekretet çdo mesfushori. Tani kam fatin të luaj me Brozovic, i cili është shumë i fortë”, tha Asllani.

Po ashtu, Asllani tregoi që deri te arritja e këtij suksesi duhet t’i falënderohet Empolit, kurse për fund kishte edhe një mesazh për tifozët e Interit.

“Nuk i di ende qëllimet e mia, shikoj hap pas hapi. Falënderoj Empolin, i detyrohem shumë Empolit. Tani jam te Interi dhe do të përpiqem të jap më të mirën. Goli i parë në ‘San Siro’ kundër Interit? Isha shumë i lumtur, tani ndoshta jam më i lumtur. U them tifozëve se jam gati dhe të na mbështesin sa më shumë”, tha mesfushori shqiptar.

Sezonin që lamë pas, Kristjan Asllani bëri 34 paraqitje në të gjitha garat për Empolin, duke regjistruar katër gola dhe dy asistime mbi emrin e tij.