ASH: Shkurtoni lukset dhe merrni propozimet tona

Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka reaguar në lidhje me situatën e fundit të krizës ekonomike të krijuar në vendin tonë. Nga ASH, kanë deklaruar se qytetarëve u duhet ndihmë urgjente dhe Qeveria duhet të ndalet më me defile.

“Uluni dhe mendoheni! Nëse nuk e bëni, merrni propozimet tona të gatshme i keni. Çdo muaj rëndohet edhe më shumë buxheti familjar. Me të njëjtën sasi parash blihen gjithnjë e më pak produkte dhe kryhen shërbimet. Në prill, inflacioni që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të konsumit te gjerë, u rrit me 11.1 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është një tjetër rekord i zi, pas atij të marsit të po këtij viti Ky shtrenjtim shihet e ndjehet se ka goditur më shumë familjet me të ardhura të ulëta”, thonë nga atje.

Ata kanë shtuar se shpenzimet për blerjen e produkteve bazë të shportës, siç janë buka, vaji, produktet e qumështit dhe sheqeri janë rritur me ritëm dyshifror nga katër deri në 20 për qind. Sipas tyre, rritje ka pothuajse në të gjithë sektorët e industrisë, shërbimeve dhe çmimit të karburantit po vazhdon të rritet.

“Aleanca për Shqiptarët në disa raste ka paraqitur qëndrimin e saj për masat që duhet ndërmarrë Qeveria për t’iu përgjigjur rritjes së çmimeve. Një nga masat më kryesore dhe më e dobishme do të ishte reduktimi – ulja e taksave dhe akcizave që përmban çmimi i karburanteve. Karburantet janë produkte të tilla që kanë shumë taksa dhe akciza në strukturën e formimit të çmimit të tregtimit dhe i njëjti ka ndikim në të gjitha elementet ekonomike të kostos se produktit final. Pothuajse të gjitha vendet evropiane po mundohen të realizojnë ndërhyrje tek çmimi i karburanteve, ku në disa raste fiksojnë çmimet në nivele maksimale e në disa raste ulin përkohësisht akcizën dhe taksat”, thuhet në kumtesën e ASH-së.