ASH: Pushteti dështoi me menaxhimin e situatës

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar pushtetin për keqmenaxhim të situatës me koronavirusin. Bekim Tateshi nga kjo parti tha se mungesa e infektologëve, epidemiologëve, reanimatologëve, mjeteve mbrojtëse elementare, kalimi nga mbrojtja defensive në mbrojtje ofensive kundër infektimit në tajming të vonuar shkaktoi sjellje të masave tepër rigoroze dhe rigide, gjë që solli më shumë kundër efekt sesa rezultate efikase duke shkaktuar te pacientët panik dhe ndjenjë pasigurie. Tateshi tha se spitali Klinik në Tetovë nuk përmbush as kushtet elementare për përballim me virusin, ndërsa të njëjtin fat e ndajnë edhe spitali i Strugës, Dibrës e Kumanovës. Për këtë të fundit ASH-ja kërkon përgjegjësi nga drejtoresha për numrin e lartë të personalit mjekësor të infektuar me koronavirus.
Skandalet nuk kanë fund as në spitalin e Kumanovës, edhe përskaj papërgjegjësisë së drejtoreshës së spitalit qysh nga rasti i parë i të infektuarës që ndërroi jetë, mos sigurimi i mjeteve mbrojtëse për personelin e deri tek dhënia e pushimeve mjekësore për njerëzit e saj të afërt të punësuar në spital ende nuk është ndërmarr as edhe një vërejtje kundër saj, edhe pse numri i mbi 20 të infektuarve nga reparti i infektologjisë dhe reparteve tjera duhej të rezultonte me dorëheqjen e saj! Kjo qeveri po i lë qytetarët pa sistem shëndetësor sepse çdo ditë po bëhemi dëshmitar se si mjek të ndryshëm nuk pranojnë pacientët për kontrolle nga frika e infektimit! Si mund të presim që kjo qeveri ta mbarojë me sukses këtë sfidë kur qytetarët nuk kanë se ku të drejtohen për mjekim!- deklaroi Bekim Tateshi, Aleanca për Shqiptarët.