ASH përkrah kushtet e Kurtit për Asociacionin

Aleanca për Shqiptarët përkrah pa rezervë kushtet e paraqitura publikisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe përkrahur nga SHBA-të.

Vlerësojmë se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë njëetnik dhe se ai duhet të jetë në përputhje të plotë me rendin juridik-kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015.

Pakicat në Republikën e Kosovës gëzojnë të drejta të garantuara sipas standardeve më të larta evropiane, me mekanizma mbrojtëse më të sofistikuara se në çdo vend tjetër të rajonit. Çdo zgjidhje që do bazohej në kërkesat shoviniste të Beogradit, do të krijonte precedent të rrezikshëm për stabilitetin rajonal duke rritur apetitet e qarqeve të ndryshme nacionaliste, në një kohë të brishtë për Ballkanin Perëndimor, kur tërë kapitali politik i shumicës së vendeve të rajonit është i fokusuar në shkëputjen nga Rusia dhe ridinamizimin e zgjerimit të BE-së.

Kërkojmë mobilizim të shtuar nga partnerët ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe sipas afateve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.