Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për tubimin e mbajtur dje në Kumanovë, ku përmes thirrjeve provokuese “Rroftë Serbia” dhe “Kosova është e jona”, me flamuj serbë dhe mesazhe të hapura mbështetëse për politikat e Aleksandar Vuçiqit, u cenua ndjeshmëria politike, historike dhe kombëtare e shqiptarëve.
Kumanova është qytet me histori të rëndë, me sakrificë dhe kujtesë të dhimbshme. Pikërisht për këtë arsye, çdo manifestim që rikthen retorikën nacionaliste dhe mohon realitetin e pavarësisë së Kosovës nuk mund të trajtohet si ngjarje e zakonshme. Mesazhe të tilla nuk i shërbejnë as paqes, as stabilitetit, as bashkëjetesës ndëretnike.
Ballkani ka paguar çmim të lartë nga politikat që ushqejnë urrejtje, mohim dhe pretendime territoriale. Prandaj, paqja nuk ndërtohet me slogane që provokojnë, por me respekt të ndërsjellë, me njohje të realiteteve politike dhe me përgjegjësi institucionale.
Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në këshillin komunal të Kumanovës Huzeir Mustafi nënvizon se tubimi i djeshëm ishte një ngjarje që nuk i shërben frymës multietnike dhe bashkëjetesës në qytetin Kumanovës
Akoma më shqetësues ishte fjalimi dhe prezenca e Maksim Dimitrievskit i cili vazhdimisht ka dëshmuar qasje të njëanshme dhe dallime drastike në baza etnike përmes shpërndarjes selektive të projekteve dhe investimeve. Ndërsa mbrëmë, me praninë dhe mbështetjen publike ndaj Vuçiçit, vetëm sa e thelloi këtë perceptim te qytetarët.
Ironikisht, vetëm një ditë më herët në Këshillin Komunal miratuam vendimin për hapjen e zyrës së Bashkimi Evropian në Kumanovë. Prandaj shtrohet pyetja, a është orientimi proevropian i sinqertë, apo vetëm formalitet për përfitim fondesh, kur fjalët dhe veprimet po bien ndesh me njëra tjetrën?
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet shtetërore që të veprojnë me seriozitet dhe vigjilencë ndaj çdo aktiviteti që mund të nxisë tensione ndëretnike dhe të dëmtojë harmoninë në vend. Heshtja ndaj provokimeve të tilla nuk është maturi politike, por inkurajim për përsëritjen e tyre.
Në të njëjtën kohë, shqetëson edhe mungesa e çdo qëndrimi nga VLEN-i. Në momente kur preket dinjiteti kombëtar i shqiptarëve, përfaqësuesit shqiptarë në pushtet nuk mund të sillen si vëzhgues të heshtur. Heshtja e tyre tregon mungesë guximi politik dhe varësi të plotë nga partnerët qeveritarë.
Kumanova ka nevojë për mesazhe të bashkëjetesës, respektit dhe stabilitetit, jo për importim të agjendave nacionaliste që përpiqen të mbajnë gjallë tensionet e së kaluarës.



