Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët është deklaruar për Rezolutën e VMRO-DPMNE-së për vijat e shtetit me Bullgarinë.
Thonë se për këtë çështje do të duhet diskutim më i gjerë, se tërë debati duhet të zhvillohet në Kuvend dhe jo nga selitë partiake.
“Aleanca për Shqiptarët vlerëson se temat e këtilla dhe procesi integrues në të njëjtën kohë, janë shumë serioze, meritojnë një trajtim më serioz e institucional dhe nuk mund të merren vendime vetëm në bazë të deklaratave politike dhe partiake.
Ne jemi në konsultim profesional edhe me faktorë të brendshëm, por edhe me faktorin ndërkombëtarë, me qëllim që të mos lejohet as edhe ndonjë pasojë aksidentale. Debati rreth temave të këtilla nuk mund të zhvillohet përmes konferencave për shtyp nga selitë partiake, por nevojitet një debat i mirëfilltë në institucionin më të lartë ligjvënës në vend. Të dëgjojmë të gjitha detajet, argumentet e palëve në Kuvend dhe aty do shpalosim edhe argumentet dhe qëndrimet tona”, thonë nga ASh-ja, transmeton TV21.