ASH: DASH konfirmoi konstatimet tona, t’u japim fund politikanëve të korruptuar

Reagim i Aleancës për shqiptarët

Në raportin më të ri të DASH thuhet se Maqedonia e Veriut ka problem të vazhdueshëm me korrupsionin. Me këtë edhe një herë u konfirmuan konstatimet e Aleancës për Shqiptarët që për vite me radhë sa vijnë e forcohen me dëshmi dhe skandale të shumta nga ana e kësaj Qeverie, LSDM-BDI.

Ky realitet i hidhur vjen si rezultat i udhëheqjes së vendit nga zyrtarë të korruptuar edhe nga qeveritë e kaluara dhe që vazhdojnë të njëjtën metodë të punës ta zbatojnë edhe më tej.

DASH konstaton edhe një fakt të rëndësishëm. Në raport thuhet se ka ligje pozitive në përputhje me legjislativën evropiane që mundësojnë klimë për biznes të lehtë, por korrupsioni mbetet problem. Kjo dëshmon poashtu se në Maqedoninë e Veriut nuk janë problem ligjet, por zbatuesit e ligjit. Kjo dëshmon se problemet me krimin, korrupsionin dhe stagnimin e shtetit nuk zgjidhen me reforma ligjore, por me ndryshimin e strukturës qeverisëse të vendit, e cila ka kapur institucionet në përgjithësi dhe drejtësinë në veçanti.