ASH-AAA: Naser Zyberi s’mund të jetë Avokat i Popullit

Sot, kur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bë publik propozimi që Avokat i ri i Popullit të jetë Naser Zyberi, u zbulua edhe skenari i mashtrimit të zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020.

Megjithatë, duke qenë protagonist i zgjedhjeve të kaluara, Naser Zyberi i ka dy përgjegjësi: e para është politike – ai nuk mund të jetë Avokat i Popullit derisa në zgjedhjet e kaluara ka qenë kandidat për një detyrë politike, ndërsa e dyta është morale – ai duhet t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve shqiptarë në vendin tonë se a ka qenë ky çmimi i tij për mashtrimin e realizuar?

Nëse vërtet ka pasur kaq shumë qejf të jetë Avokat i Popullit, këtë dëshirë mund ta përmbushte edhe në mënyrë tjetër, por të pranojë të jetë bashkëpjesëmarrës, madje protagonist, i mashtrimit të madh “Koha për kryeministrin shqiptar”, kjo do të mbetet gjithmonë njollë në jetën e tij.

 

Pas kësaj, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa konkludon se ai që ka qenë mashtrues i zgjedhjeve të kaluara kurrë nuk do të mund të jetë Avokat i Popullit. E shumta mund të jetë avokat i Kryemashtruesit të partisë që e kandidoi, por asnjëherë edhe i Popullit. Sepse populli nuk i pranon dhe nuk i duron mashtruesit.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët&Alternativa