ASH-AAA: LSDM dhe BDI helmuan qytetarët me vetëdije (Video)

Nënkryetarja e Aleancës për Shqiptarët Bujare Abazi ka reaguar pas skandalit të publikuar me naftën për ngrohje, me ç’rast në emër të koalicionit opozitar ASH-AAA, ka akuzuar Qeverinë se ka rrezikuar jetën qytetarëve me të vetmin qëllim, përmbushjen e interesave të bizneseve, shkruan gazeta LAJM.

“Skandali i publikuar nga IRL (laboratori për korrespondencë hulumtuese) me naftën për ngrohje, e që në fakt bëhet fjalë për derivate të rënda toksike që janë të ndaluara në vendet e BE-së dhe si të tillë janë rreptësishtë të ndaluara për përdorim sidomos në mjedise urbane, në fakt ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të këtij pushteti që edhe me çmimin e helmimit dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve, është i vendosur të kënaq biznes interesat e saj dhe të njerëzve të afërt siç është rasti me ish Zëvendës Kryeministrin Koço Angjushev.

Të nderuar qytetarë, Qeveria e vendit tonë, me vetëdije dhe më qëllim përfitimi ka helmuar qytetarët e saj për tre vite me radhë. Prandaj, e pyesim publikisht Kryeministrin Zaev: Si është e mundur që më qindra e mijëra tonelata mbetje toksike të derivateve të rënda të kalojnë në kontrollin doganorë dhe askush mos ta hetojë këtë për tre vite me radhë?

Cili është roli juaj si njeri i parë i Qeverisë, kur tani më dihet publikisht se ish zëvendësi dhe miku Juaj Angjushev ka ndërmjetësuar partneritetin mes firmës furnizuese Evrotim nga Kërçova dhe Hifa Oil nga Bosnja?

Të nderuar qytetarë, Qeveria LSDM-BDI në vitet 2018 dhe 2019 kur Shkupi, Tetova dhe Kavadari ishin qytetet më të ndotura në botë, Ministri i Mjedisit dhe Zëvendës Kryeministri Angjushev i akuzonin qytetarët se po e ndotin ajrin si pasojë e ngrohjes me dru, por sot u kuptua se ata paskan qenë ndotësit dhe vrasësit e vërtetë të qytetarëve duke i helmuar me vetëdije me qëllim të përfitimit personal.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i bën thirrje Prokurorisë Publike që të ndërmerr masa në përputhshmëri me ligjin për skandalin në fjalë, me qëllim identifikimin e fajtorëve duke filluar nga Kompania furnizuese Evrotim, Drejtoria e Doganave, inspektorati i mjedisit, Inspektorati i tregut, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, thuhet ne reagimin e ASH-AAA.