ASH-AAA e akuzojnë Entin e Statistikave se “saboton regjistrimin”

Enti i Statistikave po e saboton regjistrimin me mungesën e shqipes në formularin online, kështu ka akuzuar koalicioni opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa (ASH-AAA).

Këtë akuzë, siç thonë, e bazojnë në ankesat e shumta që i kanë pranuar nga mërgimtarët shqiptarë.

“Ditëve të fundit, nga mërgimtarë të shumtë, po marrim njoftime të vazhdueshme se formulari online i regjistrimit të popullsisë ka probleme, ndër të cilat edhe se disa pjesë të tij janë vetëm në maqedonisht, gjë që e vështirëson ndjeshëm regjistrimin e mërgatës, që edhe ashtu nuk shquhet me njohje shumë të mirë të maqedonishtes. Kështu të dhënat për komunën, për adresën dhe për profesionet në formular janë vetëm maqedonisht, ku veçmas pjesa për profesionet paraqet vështirësi më të madhe”, thuhet në reagimin e ASH-së, transmeton TV21.

Nga koalicioni kërkojnë sqarim prej Entit, pasi siç thonë, “nuk duan të paragjykojnë, se këto pengesa kanë për qëllim të pengojnë mërgatën për t’u vetëregjistruar”.