ASH: A po bëhet Qeveria strehimore e njerëzve që merren me drogë?

Edhe pse në kohë pandemie, kur pothuajse gjithë fokusi po bie mbi luftën ndaj Covid 19, megjithatë veprimtaritë e paligjshme, si ajo e korrupsionit, drogës dhe krimit, nuk kanë të ndalur. Rasti i ndalimit të një të afërmit të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Nazif Bushit, flet qartë që njerëzit që janë të afërt me pushtetin, më saktë me BDI-në dhe LDSM-në, mendojnë se janë të mbrojtur nga pushteti, duke ia lejuar vetes të merren edhe me drogë. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe këshilltari i ri i Zëvendëskryeministrit të Parë, Artan Grubi, po ashtu doli të jetë i implikuar në tema narkotike, që po ashtu flet edhe një herë se BDI – si pjesë e Qeverisë – po bëhet strehimore e personave që merren me drogë.

Pas këtyre rasteve, shtrohet pyetja se cili e ka rendin nga BDI dhe LSDM të dalë i përfshirë në afera me narkotikë, që vazhdojnë të mbulohen me petkun e pushtetit?

Nëse Kryeministri Zaev, por edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pretendojnë se janë të pastër nga këto skandale, ata do të duhet t’i dënojnë këto raste. Në të kundërtën, ata janë bashkëpjesëmarrës në këto dukuri.

Prandaj, Aleanca për Shqiptarët & AlternAtiVA gjykojnë se kur ke polici partiake dhe gjyqësor politik, është e natyrshme se ajo që rritet nuk do të jetë cilësia e shtetit të së drejtës, por vetëm sasia e drogës së kontrabanduar nga njerëzit e pushtetit. Ndërkaq më tragjike se kjo janë aleancat mes LSDM dhe BDI-së, kur tentojnë ta mbrojnë njëri-tjetrin duke u akuzuar se cili prej tyre është diler më i madh a më i vogël i drogës.

Prandaj ne nuk mund të mos konkludojmë se ky nuk është më shteti i së drejtës, por është shteti i pushtetarëve që e përdorin pushtetin për t’i mbrojtur narkodilerët. Natyrisht, pas kësaj vijon konstatimi se arsyeja e legalizimit të mariuhanës është shpjegimi për rritjen e këtyre skandaleve narkotike. Ndërkaq të gjithë ne e dimë se protagonisti i asaj ideje ishte askush tjetër, por vetë kryeministri Zaev.