Arteta i lumtur me paraqitjen spektakolare të Declan Rice: Shkëlqeu edhe pse e do aq shumë West Hamin

Declan Rice ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në derbin e Londrës ku Arsenali turpëroi West Hamin me rezultat 0-6.

Reprezentuesi anglez kontribuoi drejtpërdrejt në tre nga gjashtë golat, pasi ai dha dy asistime dhe shënoi një gol spektakolar nga distanca.

Mikel Arteta e ka lavdëruar paraqitjen e mesfushorit, duke thënë se Rice shkëlqeu në një ditë emocionuese pasi ai e do jashtëzakonisht shumë West Hamin.

“Jam shumë i lumtur me Ricen, sepse ishte një ditë shumë emocionuese dhe e veçantë për të”, tha Mikel Arteta për Rice.

“Ai e do West Hamin aq shumë, dhe sot ai duhej të përqendrohej në detyrën dhe atë që duhej të jepte. Goditja ishte një nga ato, sepse kur kemi lojtarë të caktuar në fushë, ai mund të kërcënojë nga jashtë kuadratit më shumë se brenda zonës”.

“Dhe atëherë isha shumë i kënaqur që pashë pritjen që i është bërë Rices, një pritje që vërtetë e meriton”, tha Arteta.

Rice iu bashkua Arsenalit nga West Ham në verën e vitit të kaluar për shumën e 116 milionë eurove.

25-vjeçari menjëherë është shndërruar në idhull të tifozëve të Arsenalit, derisa ka shkëlqyer këtë edicion ku në 33 ndeshje ka realizuar katër gola e ka asistuar në pesë të tjerë.