Arsimi tek ne: Mes problemeve dhe sfidave

Xheladin Murati

Sigurisht se kemi dëgjuar e lexuar shumë për problemet, sfidat dhe perspektivat e arsimit në përgjithësi dhe të arsimit shqip në veçanti. Mirëpo, a e dime rëndësinë e tyre?

Arsimi midis sfidave dhe perspektivave të tij është çelësi për sigurimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë arsimore. Arsimi dhe gjithë funksionet e tij funksionojnë më mire vetëm kur arsimi mbështetet në përmbajtjet dhe kushtet e nevojshme. Transfomimet apo ndryshimet në arsim ndahen, sipas mendimit tim, në të përbëra dhe të thjeshta. Dallimi midis tyre është që ato të përbërat më ngadalë realizohen sepse kërkojnë strategji dhe dinamikë. Në fakt ato janë afatgjata.

Ndërmarrjet e thjeshta realizohen më shpejtë, janë afatshkurta. Ato përfshinë ndryshime metodike, didaktike, organizative e të ngjashme. Ajo që është më e rëndësishme te ndryshimet në arsim është cilësia që sjellin.

  1. Premisat

1.Pavarësisht ndryshimeve që janë bërë në arsim, ka edhe shumë probleme të pazgjidhura.

2.Duhet të ndryshojnë prioritetet strategjike sa i përket arsimit në gjuhën shqipe.

3.Të shtohet bashkërendimi për të thelluar  dhe zgjeruar cilësinë në arsim.

4.Arsimi më i mirë është ai që ofron dije sipas parimit cogito ergo sum.

5.Në arsim duhet të realizohet barazia e plot mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

  1. Qasjet dhe aspektet

2.1.Gjendja dhe problemet e pëgjithshme

Modernizimi i arsimit dhe problemet që e ndjekin atë është një formë e vazhdueshme që përcillet nga një qeveri në tjetrën. Përderisa arsimi  në gjuhën maqedone ka ndryshuar gjërat, në arsimin shqip mbeten problematike shumë gjëra, sikur duket SDSM dhe funksionarët shqiptar vazhdojnë të mbeten pushtet, ashtu si edhe qeveria e koalicionit e VMRO-së që me vite ishte.

E përbashkëta e arsimit në vendin tone, si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët është se janë për bashkëkohësim të sistemit arsimor, të proceseve arsimore, modernizimin dhe rritjen e cilësisë së tij. E përmendi cilësinë se kjo e bën diferencën. Në këtë drejtim janë edhe opinionet dhe deklaratat e  funksionarëve maqedonas se jemi për thellimin dhe bashkëkohësimin e arsimit, por në thellimet e këtij veprimi, zakonisht evidentohen ngecje dhe këto ngecje janë të pranishme në arsimin shqip.

Cilat janë problemet në arsim që kërkojnë shqyrtim e zgjidhje? Në përgjithësi janë disa nga të cilat veçojmë:

– numri i shkollave me shumë nxënës dhe i shkollave me pak nxënës;

– numri i klasave me shumë pak nxënës 2-3 apo 5-6 ku nuk mund të realizohet komunikim efikas dhe socializim;

– numri i lëndëve mësimore nëpër klasa;

– numri i orëve ditore dhe javore sipas klasave që bën mbingarkesën e nxënësve;

– tekste mësimore të ngarkuara me përmbajtje të panevojshme, historike etj;

– Ngarkesa e nxënësve me libra, çanta është tepër e rëndë sa që shkakton dëme trupore tek ata;

– ngarkesa e nxënësve me detyra shtëpie;

– arsimi i mesëm profesional është thembra e akilit e sistemit arsimor tek ne. Ai nuk është dimensionuar si duhet, madje dukshëm  ngecë edhe pse duhet të jetë dominant dhe prioritar me arsimin e mesëm të përgjithshëm;

– arsimi i lartë është njëlloj problem me shumë probleme, dimensionimi i tij kërkon qasje konkrete dhe praktike, nuk rregullohet me strategji. Domosdo duhet rishqyrtim i konceptit të arsimit universitar (të universiteteve publike dhe atyre private);

– në shkollë mungon orientimi profesional i nxënësve. Ky është problem serioz  dhe me këtë problem fare nuk merren institucionet.

2.2.Gjendja dhe problemet e arsimit në gjuhën shqipe

Arsimi në gjuhën shqipe ka edhe probleme shtesë për dallim nga problemet që janë në përgjithësi.

Pavarësisht se me ministrinë e arsimit me vite udhëheqin kuadro shqiptare,  problemet në arsimin shqip ngecin, çalojnë,  në disa sfera, Për shembull:

1.Në politikën e barazisë, për shembull nxënësit shqiptarë në Idrizovë, në Cashkë nuk kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën amtare dhe ato mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e pare. Drejtorët e shkollave, kryetarët e komunave nuk e realizojnë këtë të drejt elementare. Privimi i kësaj të drejte është thikë për demokracinë dhe barazinë kombëtare. Kjo e tregon ndasinë e madhe mes politikës maqedonase dhe asaj shqiptare, e cila angazhohet për multikulturalizëm dhe barazi.

Arsimi dhe shkolla kërkon barazi të plot mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo do të kishte sukseset dhe sfidat në jetën praktike shoqërore. Barazia nuk duhet ti tremb maqedonasit nëse shqiptarët janë të barabartë me to. Duhet të punohet më shumë tu ikë frika nga shqiptarizmi.

Rezistenca e institucioneve maqedonase , e kryetarëve të komunave Gazibabë dhe Cashkë, e të  drejtorëve  të shkollave përmendura nuk mund të thyhet. Kjo padrejtësi e thellë për politikën shqiptare nuk bën peshë. Ndërkaq po ajo politik ia merr kompetencat komunës ku kryetar është shqiptar dhe nuk guxon tua merr kompetencat kryetarëve të komunave maqedonase. A nuk është ky absurd i demokracisë?

2.Politika aktuale apo pushteti aktual nuk  lejon të përdoret abetarja mbarëkombëtare për nxënësit shqiptar në shkollat shqipe në Maqedoni. Abetarja është liber fillestar për nxënës dhe libri më i dashur për to.

3.Pavarësisht se flasim për mungesë të teksteve shkollore, ato vazhdojnë të mungojnë edhe më tej.

  1. a) Tekstet për nxënësit shqiptar të përkthyera nga maqedonishtja janë të rënduara me gabime shkencore, gjuhësore, gramatikore, përmbajtësore.
  2. b) Ka përmbajtje në tekstet në gjuhën shqipe që nuk përkojnë me realitetin aktual e historik. Aty shpalosen gabime historike si në librat e historisë, gjeografisë, muzikës, matematikës etj,

4.Ndërtimi dhe bashkëkohësimi i infrastrukturës shkollore poashtu ngec.

5.Një çështje tjetër që në vazhdimësi ka ndarë në qëndrirme politikën maqedone dhe kërkesat shqiptare është përdorimi i gjuhës shqipe në arsim. Zbatimi i gjuhës shqipe apo dygjuhësisë. Politika shqiptare megjithë nivelin e përparuar të demokracisë nuk arriti që dëftesat dhe administrata e shkollës të bëhet në gjuhën në të cilën zhvillohet mësimi. Pse nxënësit shqiptarë të marrin dëftesat në dy gjuhë, para maqedonisht e më pas shqip? Pse administrata shkollore të bëhet në dy gjuhë? Në një periduhë shumë të egër komuniste shqiptarët i kanë marrë dëftesat vetëm në gjuhën shqipe dhe dokumentacioni është mbushur vetëm në shqip. Pse sot kjo e drejt të mohohet?

6.Arsimi i mesëm profesional kërkon përparësi në raport me arsimin e përgjithshëm. Shkollat e mesme profesionale duhet të jenë dominante, kjo mbase mungesa e kuadrit profesional për nevojat e ekonomisë dhe biznesit privat reflekton si problem serioz duke e vën në rrezik edhe veprimtarinë e tyre. Arsimi profesional paraqet bërthamë për një shoqëri të forte e shoqëri në zhvillim.

7.Arsimi i lart apo universitar në shoqërinë tone është tej mase i zgjeruar dhe nuk përkon me numrin e banorëve dhe as me nevojat e tregut e të ekonomisë. Duhet bërë reduktimi i universiteteve publike (në maqedoni ka 6 universitete publike) dhe atyre private (ka mbi 20 universitete private). Në këtë dimensionim duhet kërkuar edhe ulja e cilësisë, marrja e diplomave pa mbulesë me dije, konkurrencë jo lojale mes universiteteve, korrupcioni i skajshëm, politizimi i kuadrit e të ngjashme.

8.Ndërrimi i emrave të shkollave fillore e të mesme si në Shkup, Tetovë (gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, shkolla e mjeksisë “Nikolla Shtejn”, shkolla e tekstilit “Gjoce Stojçeski” dhe shkolla e mesme industriale “Mosha Pijade”) mbeten ashtu siç kanë qenë edhe pse propozime për ndryshimin e emrave që moti është bërë kërkesa.

9.Koncepti i multikulturalizmit në shoqërinë tone multietnike, multifetare është çështje e rëndësishme për sigurimin e kohezionit social dhe stabilitetit etnik. Në aspektin teorik ky koncept është i pranishëm, por në aspektin praktik ai nuk ka efekte. Sepse gjendja në shoqëri atë e demanton. Le të sjellim disa shembuj konkret: nxënësit maqedonas të gjimnazit të Tetovës mësojnë të ndarë nga nxënësit shqiptar se nuk duan me to, Nxënësit maqedonas  të shkollës fillore “Migjeni” në Tetovë, mësojnë të ndarë nga shqiptarët, nxënësve shqiptar në Idrizovë dhe në Cashkë nuk u lejohet të mësojnë në gjuhën shqipe, thyhen tabelat treguese e fshihen emrat shqip nëpër tabela etj. . Atëherë pyetemi ku është multikulturalizmi, ku është politika që e promovon këtë koncept.

10.Politizimi dhe partizimi i skajshëm i arsimit është një element që arsimin e bën të lëngojë në cilësinë, efikasitetin dhe udhëheqjen me institucionet arsimore. Partizimi ka sjellë uljen e motivimit për punë, reflekton në zgjedhjen e kuadrove cilësore. Pavarësisht se partitë flasin për politikën jashta arsimit, megjithëatë ajo është thellsisht në brendinë e tij sepse njerëzit e veshur me pushtet ashtu duan.

2.3.Sfidat

Eshtë fakt se iniciativat, marrëveshjet, takimet nuk mungojnë, por zbatimi i tyre po neglizhohet. Fatkeqësisht çështjet e arsimit shqip nuk janë prioritet i funksionarëve shqiptar.

Unë mendoj se udhëhqësit shqiptar të institucioneve duhet të ndryshojnë optikën e të vepruarit dhe prioritetet strategjike sa i përket çështjes  të arsimit shqip, për faktin se shqiptarët në Maqedoni përveç arsyeve kombëtare dhe historike kanë arsye edhe konkrete, mos të fyhen nga maqedonasit, mos të ndjehen inferior, të pabarabartë.

Mendoj gjithashtu  se maqedonasit dhe shqiptarët duhet  të darkordohen fillimisht mes vedi dhe më pas të shkohet në zgjidhjen e kërkesave shqiptare. Të eliminohen barrierat, por jo me vite.

Thjeshtë, gjendja reflekton sfida. Cilat janë asfidat? Arsimi vlerësohet se është zëri i të vërtetës, moralit, zhvillimit, asaj që është njerëzore e kombëtare. Në këtë kontekst sfida kryesore është arsimi të jetë i barabartë për të gjithë, eliminimin e ndasive dhe diskriminimit mes etnive.

Sfida elementare është se arsimi duhet të ofroj dituri moderne e cilësore dhe përmbajtësore. Përndryshe do të jemi gjithmonë në fund të listës së testitmit PISA (Program for International Student Assessment) apo shqip PVNN (Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve) .

Sfida tjetër është sigurimi i cilësisë, cilësia të jep shtet, por jo pushtet. Prandaj duhet përmirësimi i cilësisë së mësimit në të gjitha nivelet e arsimit.

Sfida në vazhdimësi është depolitizimi dhe departizimi i arsimit, arsimi të funksionoj mbi bazë të parimeve dhe normave pedagogjike. Kjo do të reflektoj edhe në parandalimin e ikjes së kuadrit cilësor.

Sfidë  shumë e rëndësishme është ristrukturimi i shkollave të mesme profesionale në raport me shkollat e arsimit të përgjithshëm. Duhet të hapen drejtime atraktive që e orientojnë nxënësin drejtpërdrejt në profesionin përkatës. Në këtë drejtim duhet edhe motivim të nxënësve dhe krijimin e kushteve që shkollat profesionale të prodhojnë kuadër vërtetë me përgatitje cilësore profesionale që u përgjigjen nevojave të ekonomisë. Thjesht të forcohen zanatet, biznesi s’gjen dot punëtorë për veprimtari profesionale.

3.Përfundim

Nga sa thamë më lartë dalin tri konkludime: Së pari, problemet në arsim janë pasojë e sistemit arsimor që nuk i përshtatet nevojave të tregut të punës, biznesit dhe kërkesave legjitime të shqiptarëve.

Së dyti, qëllimet dhe pritshmëritë nga mësuesi e profesori  dhe arsimi kanë një impakt të rëndësishëm në drejtimin që merr individi, në intensitetin me të cilin ai ralizohet dhe në modernizimin e tij.

Së treti, përplasjet në arsim rreth të drejtave dhe barazisë së shqiptarëve në te duhet të zgjidhen në mënyrë konstruktive. Kokëfortësia e politikës maqedonase mund vetëm ta dëmton, ashtu siç prej kohësh e dëmton çështjen e arsimit në gjuhën shqipe.