Arritja e refugjatëve në Shkup mbetet enigmë

Situata kaotike në Afganistan ka krijuar pasiguri rreth asaj nëse dhe kur 700 refugjatët e pritur nga Afganistani do të mbërrijnë në Maqedoni. Qeveria nuk ka përgjigje për të dy pyetjet, duke theksuar situatën e paqëndrueshme rreth aeroportit të Kabulit.

Qeveria

“Ardhja e tyre varet nga kushtet e sigurisë për organizimin e fluturimeve të evakuimit. Për momentin, nuk ka konfirmim të ndonjë grupi ose ndonjë aeroplani që është larguar nga Kabuli dhe duhet të mbërrijë në Shkup.”

Njoftimet fillestare për mbërritjen e grupit të parë ishin për të enjten e kaluar, por fluturimet janë shtyrë vazhdimisht. Sipas Qeverisë, këto janë familje të punonjësve në misionet ndërkombëtare humanitare, demokratike dhe paqeruajtëse, aktivistë nga organizatat e të drejtave të njeriut, gazetarë, përkthyes, studentë, bursistë. Ndërsa, Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, duke dënuar shpërthimet e djeshme në Kabul, sot paralajmëroi mundësinë e migrimit ilegal.

“Situata në Afganistan mund të nënkuptojë valë dhe presion mbi kufijtë e Evropës përmes migrimit ilegal, dhe se edhe Bashkimi Evropian edhe ne që jemi në këtë rajon do të duhet t’i rrisim kapacitetet tona për të garantuar stabilitetin tonë dhe sigurinë e kufijve tanë.”- deklaroi Radmila Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Ndryshe, më shumë se 100 qytetarë tanë janë evakuuar tashmë nga Afganistani./Alsat