Arrestohen 8 persona për fajde, sekuestrohen e ngrihen mbi 100,000 euro

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatën përkatëse, pas hetimeve intensive të kryera në tri ditët e fundit, ndaj të dyshuarve të përfshirë në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, në tri raste të ndara, në tri rajone Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.

Të arrestuarit në këto operacione policore janë: H.T., i lindur më 1967, A.V., i lindur më 1964, A.Ç., i lindur më 1979, Rr.B., i lindur më 1971, dhe B.M., i lindur më 1966, E.M., i lindur më 1990, B.M., i lindur më 1981, dhe S.M., i lindur më 1970.

Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, në tri rajone, në gjithsej tetë lokacione, janë bërë kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave materiale që lidhen me rastet.

Gjatë operacioneve janë sekuestruar këto gjëra: 44,150.00 euro para kesh, në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61,000.00 euro, dy revole, një pushkë e gjuetisë, 106 fishekë (kalibra të ndryshëm), tri vetura, fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe shtatë telefona.

Të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.