Armë nga ish-Jugosllavia në luftën e Ukrainës

Pamjet e reja nga lufta në Ukrainë kanë treguar pushkët automatike M70AB2 të prodhuara në fabrikën e armëve “Zastava” në Kragujevc të Serbisë. Fundi i palosshëm, shënjestra me mini-trombon, parmakë druri dhe veshja e tytës i dallon pushkët automatike të “Zastavës” nga llojet tjera të armëve të familjes së kallashnikovëve. Është parë edhe municion e mortajës nga Krusiku, ka shkruar “Balkan Security Network”.

“Njësi të ndryshme në vende të ndryshme ku janë kryer incizimet tregon se nuk janë vetëm disa ekzemplarë të ardhur ilegalisht, por bëhet fjalë për pako me armë”, ka shkruar ky portal.

Fabrika e “Zastavës” në Kragujevc kishte nxjerrë një seri armësh. Ajo u mbyll në fund të viteve të ’70-a.

Sipas shkrimit, Kroacia tashmë ka konfirmuar ndihmën me disa armë, përfshirë pushkët automatike dhe municion. Megjithatë, armët e ofruara nga Kroacia, me kalibër 5.56-milimetërsh, dallojnë nga kalibri 7.62-milimetërsh i Zastavës.

Siç thuhet në artikull, ndër armët që janë përdorur në fushëbetejë janë edhe mortajat 60-milimetërshe, që besohet se ishin prodhuar po ashtu në Serbi.