”Armatosja” apo ”çarmatosja” e intelektualëve shqiptarë!

Ligji për shtetësinë që po përgatit qeveria Zajko për miratim lë jashtë afro 100 mijë shqiptarë të Iliridës pa shtetësi, duke ulur numërin e shqiptarëve në regjistrimin e radhës të popullësisë që është paraparë të zhvillohet gjatë muajit prill.

Me këtë rast intelektualët shqiptarë po çarmatosen dhe po heshtin përballë kërcnimit që përbën ky ligj racist që i fshinë nga regjistri si rezident këta 100 mijë shqiptarë ”kurbetçinj” në botën e jashtme.

Intelektualët e kapur nga partitë dhe pushteti janë strukur skutave dhe nuk bëzajnë se ç’po ndodh me ligjin racist për shtetësinë dhe regjistrimin si jo rezident të gjithë atyre shqiptarëve që qëndrojnë më shumë se një vit për arsye të ndryshme jashtë vendit.

Ndërsa partive politike shqiptare të koalicionit dhe të opozitës nuk duhet besuar, pasi kanë dhënë prova të luajalitetit ndaj qeverisë për çështje madhore siç është identiteti dhe gjuha shqipe.
Pikërisht dy vjet më parë, më 15 janar 2019, partitë politike shqiptare kanë miratuar një kushtetutë raciste e cila nuk njeh gjuhën shqipe as identitetin shqiptar por i përcakton si bashkësi e 20%!

Shqiptarët e Iliridës nuk duhet të presin nga partitë politike ”shfalerka” të pushtetit që ky ligj shovinist i kryeministrit Zajko të mos miratohet, por duhet sensibilizuar populli duke i dhënë ultimatum partive politike se zgjedhjet lokale janë në prag dhe se ato zgjedhje shqiptarët do t’i bojkotojnë nëse ky ligj racist dhe antishqiptar për shtetësinë dhe regjistrimin e popullsisë kalon në parlament.

Intelegjencia jonë është çarmatosur nga presioni i partive politike duke u reduktuar në një duzinë intelektualësh pa mbështetje dhe pa përkrahje morale.

Kurse patriotët e kafeneve filozofojnë deri në delir për suksesin që do arrijmë me regjistrimin e popullësisë duke shpresuar nga presioni i Europës plakë mbi Zajkon dhe qeverinë e tij se do të heqin dorë nga propozim ligji racist mbi shtetësinë.

Intelegjencia jonë e ka humbur rrugën në oborrin e saj ndaj shqiptarët e Iliridës janë sot në udhëkryq të madh pa drejtues dhe pa një lider që do t’i udhëhiqte përpara drejt sfidave të kohës.
Mbase vjen një ditë një udhëheqës i popullit për popullin, që do t’i çlirojë shqiptarët nga zinxhirët e skllavërisë ku i kanë prangosur pushteti dhe partitë tona shqiptare me dekada të tëra. Medai Shaholli