Armata rinovohet me pajisje sportive

Që sot 1.200 pjesëtarë të Armatës janë pajisur me pajisje të re sportive, e cila përfshin tuta, atlete, rroba rezistuese ndaj ujit dhe çorape sportive. Deri në fund të vitit, në disa etapa të gjithë pjesëtarët e Armatës tonë do të marrin prej këtyre pajisjeve sportive.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot gjatë vizitës në kazermën Ilinden ku ishte sistemuar një pjesë e pajisjeve sportive tha se Qeveria ka dëshmuar se investon në Armatën e saj dhe nëse kërkohet prej ushtarëve të jenë fizikisht të përgatitur për këtë duhet t’u sigurohen kushte të përshtatshme.

“Me sukses e përfunduam edhe një projekt nga viti 2019, ndërsa ajo është për herë të parë të sigurohet pajisje sportive për pjesëtarët e armatës të cilët në pajtim me ligjin çdo vit duhet ta dëshmojnë përgatitjen e tyre fizike. Armata duhet të jetë e gatshme fizikisht, megjithatë nga ana tjetër armata duhet të ketë kushte për këtë përgatitje fizike”, theksoi Shekerinska.

Ministrja informoi se në fazën e parë pajisje të re sportive morën 1.200 pjesëtarë të Armatës në kazermën Ilinden, Shtatmadhoria e Armatës, grupi këmbësorik i lehtë në Shtip që është njësit i deklaruar për NATO-n dhe Akademia ushtarake. Sipas saj ditëve në vijim do të fillojë faza e dytë dhe deri në fund të vitit të gjithë pjesëtarët do ta kompletojnë pajisjen sportive e cila siç tha, së bashku me investimet në mjetet sportive do të sjellë një armatë të përgatitur fizikisht.