Arkitektura e mësimdhënies si koncept didaktik

Shkruan: Xheladin Murati

Mos e pyetni mësuesin se çfarë është mësimdhënia. Ata janë arkitekt të saj. Kanë dinamizëm, imagjinatë dhe përgatitje profesionale të veçantë për ndërtimin arkitektural të procesit të njohjes mësimore. Arkitektura e mësimdhënies karakterizohet me stilin komunikues duke përdorur metoda, qasje, stile e teknika në mësimdhënie, të cilat karakerizohen në didaktikë si gërshetim i dijes, librit, lapsit, fletores e teknologjisë. Në përgjithësi kushtet e shkollës, imponojnë një vetëlëvizje dhe vetërregullim të zhvillimit të mësimit që nënkupton arkitekturën e dijeve dhe vlerave mësimore të cilat mësuesi i ndërton te nxënësit. Pedagogjia, kërkimet pedagogjike, veprimtaria logjistike e mësuesit, janë përveç tjerash, një sfidë nëpërmjet të cilave depërton arkitektura mësimore. Forma arkitekturale duhet ta ndjek funksionalizimin e mësimit. Mos i pyetni mësuesit se çfarë është mësimdhënia. Ata janë arkitekt të saj. Kanë dinamizëm, imagjinatë dhe forcë të veçantë për ndërtimin arkitektural të procesit të njohjes mësimore.

1.Premisat

1.Akti krijues në procesin e mësimdhënies ka shfaqje të ndryshme në arkitekturën e mësimdhënies. 2.Arkitektura e mësimdhënies paraqet projektim pedagogjik e cila ka elemente praktike krijuese. 3.Mësuesi duhet ta krijoj e jo ta kopjoj realitetin mësimor. 4.Arkitektura mësimore duhet të zbulojë kuptimin e mësimit. 5.Mësuesi si arkitekt i mësimit, fut në të edhe ndjenjat, emocionet, mendimet.

2.Qasjet dhe aspektet

Ndërtimi i arkitekturës mësimore ndoshta nuk është ana më e rëndësishme e thelbit specifik të mësimdhënies. Prandaj ka rëndësi të madhe të dallohet koncepti i mësimdhënies kreative nga projektimi dhe realizimi i saj konkret, të dallohet nga koncepti i saj teorik didaktikë dhe praktikë. Mësuesi si arkitekt jo i vijave e dritë-hijeve, por i dijeve duhet përmes kreativitetit dhe vullnetit të palodhshëm, të mundohet të krijoj një harmoni në mes nxënësve dhe teknikave e materialeve të përdorura në mësimdhënie dhe dijeve që ofron. Vetëm arkitektura e mirë e afirmon aspektin funksional të mësimit e të mësimdhënies. Kjo nënkupton eliminimin e veprimeve të ngurtësuara ose skematizim i gjërave në mësim, paraqitja e të parëndësishmes si e rëndësishme, alogjikja në formë logjike e të ngjashme. Arkitektura e mësimdhënies do të jetë efikase nëse mbështetet në këto pika që mes vedi lidhen dhe formojnë komponimin e mësimit: – të përcaktohen qartë objektivat e mësimit; – të provohen eksperienca të reja në mësimdhënie; – të planifikohen strategji bashkëkohore të mësimdhënies; – të veçohet tipikja, esencialja, e përgjithshmja dhe konkretja në mësim. Pikërisht kjo është arsyeja që arkitektura e mësimdhënies me gjuhën e saj specifike didaktike, na jep jo vetëm kënaqësi por edhe sukses në punë. Thelbi i mjeshtrisë së arkitekturës mësimore varet pra, jo vetëm nga zbulimi i thyerjeve didaktike, por edhe nga artikulimi i bukur didaktikë i elementeve mësimore. Raporti midis elementit njohës (gnoseologjik), vlerësues (aksiologjik), elementit komunikues dhe krijues e pasqyrues nuk është i njejtë në arkitekturën mësimore të çdo lënde dhe të çdo përmbajtje mësimore. Pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë në projektimin e arkitekturës mësimore, ajo nuk është një mënyrë e vetme për planifikimin e mësimdhënies por është më e rëndësishmja. Ka edhe një arsye tjetër që na shtynë të pranojmë se vet arkitektura e mësimdhënies duhet të jetë domethënëse, e bukur, të pasqyroj vlera të mirëfillta mësimore. Në fakt, arkitektura mësimore kërkon pasion, përkushtim, aftësi, durim, menaxhim dhe qëllim. Në këtë këndëvështrim mund të bëjmë fjalë për një dallim të madh midis mësuesit si arkitekt i mësimit dhe nxënësve si subjekt që i nënshtrohen asaj arkitekture. Një veçori qenësore, pra, e arkitekturës mësimore është se me anë të saj, jo vetëm pasqyrohet ecuria apo rrjedha e procesit të njohjes mësimore por edhe krijohet bukuria e vlerave, e koncepteve, lidhëshmëria e dijeve në sistem të integruar. Në mësimdhënie krijohet një lloj i veçantë i arkitekturës ku nuk ka thyerje e dritë-hijeve por aty ka thyerje të vlerave emocionale, intelektuale, të dijeve dhe informacioneve. Arkitektura mësimore ka një strukturë të ndërlikuar; ajo është para së gjithash, uniteti i harmonizuar i aspekteve njohëse dhe vlerësuese, krijuese e komunikuese, të përgjithshmes, të veçantës dhe individuales së qasjeve, i thelbit dhe i shfaqjes të fenomeneve mësimore – dijeve, vlerave, koncepteve, nocioneve etj. Qenësore në ndërtimin e arkitekturës mësimore është se rruga apo qasja e ndërtimit të saj s’është një vijë e drejtë, por ka lloj-lloj zigzakesh, kthesash e vështirësishë. Pa harmonizimin e elementeve mësimore s’ka dhe s’mund të ketë arkitekturë mësimore cilësore. Sado të ndryshme të jenë rrugët dhe mjetet konkrete që zbatohen dhe projektohen në mësimdhënie, arkitektura mësimore mundëson integrimin në mënyrë harmonike të dijeve, të hollësive, të detajeve mësimore, të informacioneve të ndryshme, duke ndërtuar sistem koherent të mësimdhënies. Mësuesi që mund ta monitorojë punën e nxënësve në mësonjëtore si mjedis mësimor dhe të sigurohet që arkitektura e projektuar mësimore do të jetë cilësore dhe produktirve duhet ta menaxhoj mësimdhënien me shkathtësi didaktike. Mësuesit janë arkitekt të organizimit të mësimit në shkollë dhe ata kanë dorë në pjesën më të madhe të konceptimit didaktik-metodikë të ndarjes së roleve mësimore në hapësirat e shkollës. Prandaj të hapen shkollat dhe mësimi të mbahet me praninë fizike të nxënësve sepse ky është modeli më i suksesshëm i mësimdhënies, modeli më cilësor dhe më efikas e produktiv.

3.Përfundim

Nga këto që thamë mund të arrihet në përfundimin se arkitektura e mësimdhënies gjithmonë ka në qendër të vëmendjes nxënësin dhe vlerat që ai duhet t’i përvetësoj sipas projektit arkitektonik. Vetëm me arkitekturën mësimore mësuesi mund ta braktisë rrugën e imitimit dhe të kopjimit dhe në mënyrë të transformuar të krijoj sistem të dijeve, strukturë të koncepteve. Elementi krijues i mësuesit në projektimin e arkitekturës mësimore nuk është i njejtë në format dhe llojet e krijimtarisë së tij në mësimdhënie. Kësisoi mësuesi do të shërbej si model dhe arkitekt i projektimit dhe planifikimit të mësimdhënies. Natyrisht nuk duhet menduar se arkitektura mësimore vetvetiu sjellë cilësi. Sigurimi i cilësisë në mësimdhënie mund të bëhet edhe me rrugë e qasje të tjera të provuara në praktikën mësimore.