Argjentina e fton Messin edhe pse është i lënduar

Lionel Messi është ftuar nga kombëtarja e Argjentinës, pavarësisht se ka munguar në katër ndeshjet e fundit të Inter Miami për shkak të lëndimit.

Messi ka qenë jashtë fushës për Inter Miami në javët e fundit për shkak të një dëmtimi, por tani është thirrur në skuadrën e Argjentinës, transmeton Lajmi.net.

Kampionët e Botës do të zhvillojnë dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, kundër Paraguait dhe Perusë.

Scaloni ka përfshirë gjithashtu disa lojtarë të papritur në skuadrën e tij, si bashkëlojtarin e Messit në Miami, Facundo Farias, Carlos Alcaraz të Southampton dhe Marco Pellegrino të Milanit.

Sulmuesi ka humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Miamit, duke përfshirë humbjen 4-1 ndaj Chicago Fire.

Trajneri i Inter Miami, Gerard Martino ka refuzuar të vendosë një datë se kur Messi mund të kthehet, por tha pas humbjes së ekipit të tij ndaj Chicago Fire se ai është afër një rikthimi.