“Arabët mund të presin edhe tre ose katër vite, ti duhesh të vish te Chelsea” – Obi Mikel edhe jashtë fushës po e ndihmon ish-klubin e tij

John Obi Mikel është një legjendë e Chelseat, pasi ka kaluar 11 vite të karrierës së tij në Stamford Bridges, nga 2006 deri më 2017.

Ish-mesfushori nigerian i ka dhënë fund karrierës së tij, por ai po vazhdon ta ndihmojë klubin londinez, pasi dëshiron t’ia dërgojë një top sulmues.

Mikel ka një podkast të tij dhe së fundmi ka pasur mysafirë bashkëkombësin e tij Victor Osimhen i cili aktivizohet me Napolin.

Ish-reprezentuesi nigerian i ka thënë Osimhenit se ai do të ndërmjetësoj kalimin te Chelsea, pasi dëshiron që The Blues të përforcohen në repartin ofensivë.

“Sezonin e ardhshëm, e di që do të vish te Chelsea”, i tha Obi Mikel sulmuesit në podkastin e tij Obi One, siç citohet nga Fabrizio Romano.

“Po ju them, unë do të jem agjenti për të ndërmjetësuar atë marrëveshje. Do të sigurohem që të ndodhë. Ne po qajmë për dikë si ju, që kur Drogba u largua nga klubi”, tha Mikel.

Tutje ish-mesfushori tha se Arabia Saudite duhet të presë edhe për një kohë, pasi për Osimhen primarë duhet të jetë transferimi te Chelsea.

“Ne po thërrasim që dikush të na japë gola dhe kjo është diçka që ju do të na jepnit. Arabia mund të presë, të na japësh tre ose katër vite në Chelsea. Sezonin e ardhshëm, shpresoj që të vini në klub”.

“Duke jetuar në Londër, ne nuk kemi motin më të mirë, por gjithçka tjetër është e mahnitshme. Më beso, klubi, njerëzit në klub, terreni stërvitor, gjithçka është absolutisht e mahnitshme”, i tha Mikel bashkëkombësit të tij.