Apeli seancë të hapur për rastin e Almirit, mbrojtja kërkon rigjykim

Mbrojtja e familjes së Almir Aliut i cili vdiq si pasojë e aksidenti fatal, të shkaktuar nga Boban Iliq, po vazhdon me tentimet ligjore, në kërkim të drejtësisë, për vogëlushin që vdiq në moshën 4 vjeçare. Në lëndën e cila ndodhen në shkallën e dytë, avokatët e familjes Aliu kërkojnë anulim të vendimit të shkallës së parë dhe rihapje të sërishme të këtij rasti, i cili duhet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit. Avokati mbrojtës Asmir Alispahiq tha se nga kjo gjykatë presin vendim të drejtë dhe ligjor, ndërsa shtoi se drejtësinë do të kërkojnë deri në fund.

Asmir Alispahiq, avokat

“Unë shpresoj që kjo përbërje do të sjellë vendim të drejtë, se do ta tërheq lëndën, do të caktoj mbajtje të një seance në këtë Gjykatë dhe sigurisht do ti nxjerrë të gjithë provat, do ti thërras dëshmitarët, që gjykata e Kumanovës nuk i thirri dhe do sjellë vendim të drejtë dhe ligjor. Besoj se ato do të mund ti vërejnë të gjithë gabimet që i ka bërë Gjykata e shkallës së parë. Unë e thash edhe brenda se ky është një shembull se si nuk duhet të trajtohet një rast”.

I akuzuari Boban Iliq edhe pse dikur thoshte se nuk ndjente faj, tani kërkon falje publike, duke thënë se nuk ka dashur të lëndoj askënd.

Boban Iliq, i akuzuar

“Dua të them se më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, kërkoj falje publike, unë nuk kam deshur të lëndoj askënd e aq më pak një fëmijë”.

Mirëpo faljen e tij nuk e pranon babai i Almirit. Ai u kundërpërgjigj duke thënë se po të ndjehej keq për këtë, nuk do të kishte kërcënuar edhe persona të tjerë, duke marrë si shembull rastin e Almirit.

Sedat Aliu, babai i Almirit

“Po të ndjehej keq, nuk do të kishte kërcënuar edhe persona të tjerë duke ju thënë ‘Unë kam vrarë fëmijë, e lëre më juve’. Prej kur ka ndodhur ky rast ne familjarisht nuk jemi mirë. Si pasojë e kësaj kanë humbur jetën dy kusherinjë, nëna ime ka pësuar infarkt, bashkëshortja ende është në stres”.

Në anën tjetër mbrojtja e Bobanit kërkon që atij ti hiqet pjesa ‘qëllimisht’ në veprën penale për të cilën ndiqet, pasi konsideron se Iliq, veprën nuk e ka bërë me qëllim. Kurse prokuroria është ende në qëndrimin e njejtë, ajo e mbështet vendimin e shkallës së parë dhe kërkon anulimin e ankesave të të dy palëve.

Ligji për procedurë penale nuk lejon kthim të sërishëm para Gjykatës së Kumanovës, por vendimi duhet të merret në Gjykatën e Shkallës së dytë, gjegjësisht në Gjykatën e Apelit, pasi paraprakisht kjo e fundit njëherë e kishte kthyer lëndën prej fillimi, në Gjykatën e shkallës së parë.

Gjykata e shkallës së parë Boban Iliqin e dënoi me 6 vjet burg, babin e Almirit me 6 muaj burg, ndërkaq Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, kusherinjtë e Almirit, me nga 9 muaj./SHENJA/