Antony shton spekulimet për transferimin në PSG me një foto të publikuar nga kryeqyteti francez

Njëri nga futbollistët më të mirë të Ajaxit këtë edicion, padyshim që ishte braziliani Antony.

Sulmuesi anësorë ka qenë ndër futbollistët më meritorë që Ajaxi fitoi titullin e kampionit, pasi kontribuoi këtë edicion me 12 gola e 10 asistime.

Por e ardhmja e tij duket larg Amsterdamit, pasi shumë skuadra tanimë janë vënë në kërkim të tij.

Mediat e ndryshme evropiane raportojnë se Paris Saint Germain ka fituar garën për t’i siguruar shërbimet e brazilianit dhe për të quar më tej spekulimet është përkujdesur vet sulmuesi dhe agjenti i tij.

Reprezentuesi brazilian dhe agjenti i tij Emersu Santos kanë publikuar një foto në aeroplan privat ku ndodhen në Paris.

Megjithatë ende nuk ka diçka të konfirmuar, por PSG ndodhet në përparësi të madhe për të nënshkruar me anësorin këmbëshpejtë.

 

Për Antonyn interesim ka pasur nga klubet më të mëdha evropiane përfshirë Chelsean, Manchester United, Arsenal, Barcelona e Bayern Munich.

Ajaxi është gati ta lejoj largimin e yllit të skuadrës, por synon që të përfitojë mbi 40 milionë euro nga shitja e tij.