Antikorrupsioni: Osmani shkeli Kodin Etik

Nga kabineti i zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse ministri i jashtëm Bujar Osmani do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e kodit etik të funksionarëve. Kryetarja e Komisionit anti- korrupsion, Biljana Ivanovska, konfirmoi për Alsat se nisma e përgjegjësisë është nisur në kabinetin e Gërkovskës duke shtuar se presin përgjigje. Sipas antikorrupsionit, ministri Osmani nuk është dashur të dalë në konferencë për media të partisë gjatë orarit të punës. Sipas Kodit të etikës, bartësit e funksioneve ekzekutive mund të marrin pjesë në veprimtari partiake si anëtarë të partive politike, por vetëm jashtë orarit të punës të institucionit që e drejtojnë. Po ashtu, Osmani në konferencën partiake të BDI-së është paraqitur me veturën zyrtare të MPJ-së dhe sigurimin e paguar nga të gjithë qytetarët, që gjithashtu është në kundërshtim me Kodin e etikës. Paraprakisht, Osmani nuk e mohoi një ngjarje të tillë, por u arsyetua duke shfrytëzuar pauzën nga orari i punës, që i takon të gjithë nëpunësve. Reagoi edhe sindikata diplomatike e Maqedonisë.

“Është hipokrizi e madhe të thuhet se ai “si çdo person tjetër ka të drejtë pauzë pushimi” kur pushimin gjatë orarit të punës e ka shfrytëzuar për aktivitete partiake. Osmani e di shumë mirë se një gjë e tillë assesi nuk u lejohet diplomatëve të MPJ-së, të cilët sipas rregullave nuk guxojnë të mendojnë për aktivitete partiake gjatë orarit të punës, madje shpesh janë ndjekur në mënyrë të paligjshme me procedurë disiplinore për paraqitje publike gjatë fundjavave”, thonë nga Sindikata e diplomacisë së Maqedonisë.

Nuk ka përgjigje nga Ministria e Jashtme, nëse shefi i diplomacisë Osmani do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e Kodit të Etikës. /Alsat.mk