Antikorrupsioni: Menaxhim i keq i kryetarit të Kumanovës me komunën

Komisioni Shtetëror për Pengim të Korrupsionit lidhur me lëndën kundër kryetarit të komunës së Kumanovës për keqpërdorime të autorizimeve të tij me harxhimin e parave në mënyrë joligjore për nevoja personale dhe për njerëz të tij të afërt, që nuk kanë qenë të punësuar në komunë, ka miratuar konkluzë se pagesa dhe shpërndarja e mjeteve për realizimin e Programit për zhvillim të sportit dhe aktiviteteve rekreative të qytetarëve të komunës së Kumanovës për vitin 2019 nuk është transparente.
Poashtu ka konkluduar se nuk është e qartë se si janë shpërndarë mjetet në klubet sportive dhe nëse janë financuar edhe aktivitete tjera rekreative sportive të qytetarëve, kur të gjitha mjetet janë paguar drejtpërdrejtë tek Federata komunale e sporteve.

Lënda ka të bëjë me personin A.K., vëlla i “pobratimit” të kryetarit të Kumanovës, vullnetar në komunë, i cili është prezantuar si udhëheqës i punësuar i Sektorit për eurointegrime dhe kompetent për projekte investuese, e njëkohësisht ka qenë edhe kryetar i Klubit Basketbollistik- Kumanovo, i financuar nga Federata e sporteve, që është përfshirë me Programin për sport në buxhetin e Komunës së Kumanovës, shkruan relevant.mk.
Sipas Komisionit për Antikorrupsion, nuk është e qartë nëse është miratuar program për vullnetarizëm.
“Konstatohet se bëhet fjalë për menaxhim të keq dhe përdorim joadekuat të drejtës së diskrecionit nga ana e kryetarit të komunës, prandaj është kërkuar të procedojnë edhe institucione tjera kompetente”, tha Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit, transmeton gazeta Lajm.

Mes tjerash ai tha se kryetari i Kumanovës nuk ka dorëzuar kopje të vendimeve të Këshillit dhe vendime për realizim të buxhetit gjatë ndarjes së mjeteve për klubet sportive të miratuara në vitin 2019, që është kërkuar nga Komisioni për antikorrupsion.
Ka sqaruar se Programi dhe ndryshimet janë miratuar nga Këshilli dhe nga mjetet e parapara në vlerë prej 13 milionë e 500 mijë denarëve, 13 milionë denarë në vitin 2019 drejtpërdrejtë i janë paguar Lidhjes komunale të sporteve, por nuk ka dorëzuar asnjë dëshmi për shpërndarjen e mjeteve të paguara nga ana e Federatës së sporteve dhe sa mjete ka fituar KB Kumanovo.