Anketa e CNN-it e nxjerr Bidenin para Trumpit në garën për president në SHBA

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden është në epërsi të konsiderueshme para presidentit aktual Donald Trump në garën për të parin e SHBA-së, sipas një sondazhi të CNN-it.

Bideni po fiton me 53 për qind për dallim nga Trumpi që ka 42 për qind të përkrahjes nga votuesit e regjistruar, në sondazhin e kryer në fillim të prillit.

Kjo tregon një epërsi të Bidenit në mesin e votuesve në përgjithësi, por sondazhet nuk caktojnë zgjedhjet shtet-shtet që përfundimisht caktojnë presidentin amerikan.

Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar në masë drastike kampanjën për president në SHBA. Bideni dhe Trumpi kanë ndërprerë kampanjat dhe shtetet kanë shtyrë garat brenda partive deri në muajt e verës.

Bideni mban një epërsi mbi Trumpin sa i përket disa çështjeve kyçe, përfshirë përgjigjet ndaj shpërthimit të koronavirusit (52%-43%), kujdesit shëndetësor (57%-39%) dhe ndihmën për klasën e mesme (57%-38%). Por Trumpi e tejkalon Bidenin në garën se cili do t’ia dilte më mirë me ekonominë, me 50 për qind e votuesve që thonë se këtë e bën Trumpi e 46 për qind që janë pro Bidenit. Bideni ka përkrahjen e 91 për qind të Demokratëve, përderisa Trumpi ka përkrahjen e 96 për qind të Republikanëve. Votuesit e pavarur janë më shumë në favor të Bidenit. Sa i përket ndarjes demografike, Bideni ka 62 për qind të grave, kundrejt 32 sa ka Trumpi, derisa Trumpi udhëheq në mesin e votuesve burra, me raport 51 me 44 për qind. Sipas sondazhit, Bideni përkrahet edhe nga votuesit me ngjyrë por edhe të rinjtë.

Sondazhi i CNN-it u bë në gjashtë vende me 1002 të rritur që u kontaktuan përmes telefonit apo intervistave direkt. Rezultatet kanë një margjinë gabimi prej 3.7 për qind.

Zgjedhjet në SHBA mbahen më 3 nëntor 2020.