Anëtarësimi në NATO, Erdogan takohet me kryeministrin e Suedisë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohet sot në Ankara me kryeministrin suedez Ulf Kristerson për të diskutuar rreth anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Së bashku me Finlandën, Suedia aplikoi për t’u anëtarësuar në NATO në maj pas pushtimit rus të Ukrainës.

Turqia e ka kundërshtuar diçka të tillë pasi ka akuzuar të dyja vendet se po ofrojnë mbrojtje për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG), të cilat Ankaraja i ka cilësuar si grupe terroriste.

Të tre vendet nënshkruan një memorandum në fund të qershorit gjatë samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin Ankaraja hoqi veton e saj dhe që detyron Finlandën dhe Suedinë t’i përgjigjen shqetësimeve të saj.

Erdogan do të presë Christerson në pallatin presidencial këtë pasdite, ndërsa konferenca për shtyp e dy liderëve është planifikuar të mbahet në orën 17:30.