Ancelotti fajësohet për gjendjen e Hysajt: Ia shkatërroi vetëbesimin

Agjenti i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, beson se mbrojtësi shqiptar i Napolit e humbi plotësisht vetëbesimin sa ishte trajneri Carlo Ancelotti – të cilin Giuffredi e cilëson si fajtor për situatën në të cilën ndodhej Hysaj.

Mbrojtësi shqiptar nuk arrinte të gjente vend në formacionin e parë të Napolit gjatë kohës sa Carlo Ancelotti ishte trajner, mirëpo është ringjallur nën drejtimin e Gennaro Gattusos dhe ka luajtur në nëntë ndeshje që prej largimit të Ancelottit, transmeton Gazeta Express.

60-vjeçari Ancelotti u largua nga posti i trajnerit të Napolit në dhjetor të vitit të kaluar dhe që nga atëherë është emëruar trajner i Evertonit në Premierligë.

Giuffredi e ka kritikuar trajnerin italian për ndikim që ai e kishte te klienti i tij Hysaj, i cili fundjavën e kaluar e pësoi një lëndim të gjurit në ndeshjen kundër Cagliarit dhe tani mund të mbetet jashtë skuadrës për pak kohë.

“Ancelotti ia shkatërroi vetëbesimin. Ai ia vodhi të gjithë sigurinë që e kishte në vete”, ka thënë Giuffredi, në një intervistë të dhënë për Raio Punto Nuovo.

“Ai nuk bëri punë të mirë në Napoli, përndryshe nuk do të ishte shkarkuar. Unë preferoj të mos flas për marrëdhënien mes trajnerit dhe lojtarëve, por shumë lojtarë ndiheshin të asgjësuar nga Ancelotti”.

Napoli është ngritur në pozitën e nëntë në tabelën e Serisë A, dy pikë larg top gjashtëshes, dhe e fitoi me rezultat 1:0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Interit në Camp Nou. /Gazeta Express/