Ancelotti: City është i kompletuar, po punojmë ta ndalim një ekip të pandalshëm, Haaland shumë i rrezikshëm

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka folur në një konferencë për media në prag të ndeshjes kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.

Real Madridi dhe Manchester City do të ballafaqohen të martën mbrëma me fillim nga ora 21:00 në takimin e parë gjysmëfinal në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Ancelotti ka vlerësuar në maksimum ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola si dhe sulmusin e tyre, Erling Haaland.

I pari i shtabit teknik të madrilenëve ka thënë se ata po punojnë ta ndalin një ekip të pandalshëm si Manchester City.

“Haaland është shumë i rrezikshëm, ne po e shohim. Ai është një rrezik, por jo vetëm ai. Është një ekip i kompletuar që luan futboll shumë të mirë. Ne po punojmë për të ndaluar një ekip që duket i pandalshëm. Ne do të kemi shanset tona. Ne hyjmë në të në një vend të mirë. Jemi në të njëjtin nivel me sezonin e kaluar, ajo që ka rëndësi është motivimi, emocioni. Fitimi i Kupës është një bonus”, tha Ancelotti në konferencën e sotme për media në prag të ndeshjes, njofton Football-Espana, transmeton lajmi.net.

“Është një ekip më i kompletuar se vitin e kaluar. Gabriel Jesus ishte shumë i rrezikshëm, por i ndryshëm nga Haaland. Tani mund të përfitojnë më shumë nga topi i gjatë, topat e dytë, kanë shënuar gola më parë nga topi i gjatë. Por stili është i njëjtë”, shtoi trajneri italian.

Ancelotti konfirmoi gjithashtu se mesfushori kroat, Luka Modriq do të startojë kundër “Qytetarëve”.

Në konferencë për media me Ancelottin ishte edhe mesfushori gjerman, Toni Kroos.