Analizohet prania e mundshme e variantit afrikan të virusit korona në Maqedoni

Nënkoloneli i ARM-së i infektuar me koronavirus ka arritur në vend me transport të posaçëm dhe menjëherë është shtruar për kurim në Klinikën Infektive. Ai është vendosur në dhomë të posaçme izolimi brenda Klinikës sepse dyshohet të bartë llojin afrikan të virusit, pasi që në Afrikën Qendrore ka qenë për mision katër mujor. Akademia e Shkencave dhe Arteve pritet që mbrëmjen e sotme ose nesër në mëngjes t’i ketë rezultatet e testimit të nënkolonelit, se me cilin lloj të virusit është i infektuar. Mjekët shpjeguan se në bazë të bisedës me 55 vjeçarin dhe simptomat që ai i ka, të pakta janë shanset që të rezultojë në variantin afrikan të virusit. Për momentin në Maqedoni vlen vendimi i Qeverisë përmes së cilit detyrohen që të gjithë udhëtarët që vijnë nga vendet Afrikane të qëndrojnë në karantinë 14 ditore. Javës së shkuar Qeveria rekomandoi që edhe ata të cilët vijnë nga India të karantinohen për shkak të përhapjes së madhe të virusit në Indi prej të cilit çdo ditë po regjistrohen rekorde të reja botërore si për nga numri i të prekurve ashtu dhe nga numri i viktimave. Lloji afrikan i virusit është më i rrezikshëm nga mutacionet tjera, shumë më shpejtë përhapet dhe ka pasqyrë klinike më të rëndë dhe sipas analizave epidemiologjike është i rezistueshëm nga një pjesë e vaksinave.