Analiza: Lufta në Afganistan mbaroi, por jo sfidat e Presidentit Biden

Me avionët e fundit amerikanë që fluturonin mbi malet Hindu Kush në Afganistan, Presidenti Joe Biden përmbushi një premtim fushate për t’i dhënë fund luftës më të gjatë ku ishin përfshirë Shtetet e Bashkuara, luftë të cilën nuk mundi ta fitonte.

Por ndërsa ajo përfundoi me një evakuim kaotik, me viktima, e duke lënë pas të bllokuar qindra qytetarë amerikanë e mijëra afganë që ndihmuan SHBA-në gjatë luftës, presidenti qëndroi jashtë vëmendjes. Ai la një komandant të lartë ushtarak dhe sekretarin e shtetit t’u flisin amerikanëve rreth momenteve të fundit të një konflikti që përfundoi me një dështim të fortë të amerikanëve.

Presidenti Biden lëshoi një deklaratë me shkrim ku falenderonte trupat amerikane që mbikëqyrën evakuimin ajror të më shumë se 120,000 afganëve, shtetasve amerikanë dhe aleatëve të tyre, për “guximin, profesionalizmin dhe vendosmërinë e tyre të pashoq”. Ai tha se do të fliste më shumë mbi këtë çështje të martën.

“Tashmë prania jonë ushtarake 20-vjeçare në Afganistan ka përfunduar”, tha zoti Biden në deklaratën e tij.

Reagimi i zbehtë i tij lidhet me një realitet të ashpër: Lufta mund të ketë përfunduar, por problemet Presidentit Biden me Afganistanin, jo.

Presidenti përballet ende me sfida të forta të lindura nga përfundimi i nxituar i luftës, mes tyre: se si duhen ndihmuar për të dalë nga Afganistani rreth 200 amerikanë e mijëra afganë që kanë mbetur ende atje, strehimi i dhjetëra mijëra refugjatëve që ia dolën të largoheshin si dhe një proces shqyrtimi nga ana e Kongresit rreth asaj se si administrata u kap e papërgatitur nga rënia e shpejtë e qeverisë afgane, pavarësisht paralajmërimeve të shumta.