Analisti kroat: Retorika e Vuçiqit ashpërsohet sepse “bota serbe” po humbet betejën në Mal të Zi

Analisti politik kroat, Davor Djenero, ka vlerësuar se retorika armiqësore e autoriteteve serbe ndaj Malit të Zi është drejtpërdrejt e lidhur me përparimin që Podgorica po shënon në procesin e integrimit evropian.

Në një intervistë për Portal ETV, Djenero tha se ashpërsimi i deklaratave nga Beogradi është vërejtur veçanërisht gjatë shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tivat.

“Sa më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian të jetë Mali i Zi, aq më e ashpër bëhet retorika që vjen nga Serbia”, tha ai.

Sipas tij, situata ngjan me vitin 2016, kur Serbia dhe Rusia, sipas pretendimeve të tij, tentuan të pengonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO përmes një grushti shteti të dështuar në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Djenero vlerëson se presidenti serb, Aleksandar Vuciq, është i vetëdijshëm se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të shënonte dështimin përfundimtar të projektit që ai e përshkruan si “Serbia e Madhe”, i riemërtuar në vitet e fundit si “bota serbe”.

Ai paralajmëroi se do të ishte gabim të konsiderohej kjo retorikë vetëm si mesazh për opinionin e brendshëm serb.

Sipas tij, Beogradi prej muajsh po përpiqet të ndikojë në zhvillimet politike në Mal të Zi, duke përdorur aleatë politikë lokalë për të ngadalësuar ose penguar procesin e integrimit evropian të vendit.

Analisti kroat përshëndeti deklaratat e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, për krijimin e një shumice të gjerë proevropiane, duke argumentuar se një koalicion i tillë do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj presioneve të jashtme.

Djenero komentoi edhe incidentet e fundit që lidhen me vizitën e Vuçiqit në Tivat, duke thënë se dërgimi i personave që, sipas tij, ngjanin me grupet e përdorura më parë nga Beogradi në rajon, tregon gatishmërinë e presidentit serb për të shkuar “deri në kufijtë e së lejueshmes dhe përtej tyre”.

Ai shtoi se përgjigjja më e mençur e Podgoricës është formimi i një fronti të fortë proevropian dhe injorimi i provokimeve që vijnë nga Beogradi.

“Me afrimin drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit, Mali i Zi ka treguar se nuk luan më në të njëjtën ligë me regjimin autoritar të Vuçiqit”, tha Djenero.

Sipas tij, autoritetet malazeze vepruan drejt duke mos iu përgjigjur provokimeve gjatë samitit në Tivat, pasi çdo reagim vetëm sa do të krijonte hapësirë për tensione të reja.

Në fund, ai theksoi se injorimi i provokimeve është mënyra më e mirë për të treguar se kush mban përgjegjësinë për përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.