Analistët bullgar në “Click Plus”! Raportet Bullgari–Maqedoni “viktimë” e betejave parazgjedhore

Raportet e zbehura mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe veto-ja që Bullgaria e paralajmëroi para disa javëve janë krejt për shkak betejës parazgjedhore, theksoi analisti bullgar në edicionin e mbrëmshëm të Klik Plus. Sipas tij Qeveria e Borisov në muajt e fundit ishte në shënjestër të protestave.

“Vlerësoj se këto raporte të këqija janë “viktimë” për betejat parazgjedhore. E dimë se Qeveria e Borisovit në muajt e fundit ishte në goditje, kishte protesta në Sofje, antikorrupsion. Hulumtimet tregojnë se nëse tani ka zgjedhje Borisov vështirë që do t’i ketë postet e njëjta në pushtet dhe vështirë që Patriotët e bashkuar do të hyjnë në pushtet. Kjo do të thotë se Qeveria ka interes të madh që të qëndrojë sa më shumë në pushtet dhe e dyta kjo shkakton gjuhë radikale me qëllim që të tërheqin vota për shkak se zgjedhjet në Bullgari do të jenë së shpejti, me shumë gjasa në mars të vitit të ardhshëm”, theksoi Kostantin Pavllov – analist nga Bullgaria.

Deçev tha që betejat parazgjedhore kanë ndikim, por se arsyet për sjelljet e tilla janë më të thella.

“Vlerësoj se deri diku gjendja parazgjedhore dhe fakti që ne për disa muaj do kemi zgjedhje parlamentare e shpjegon qëndrimin e paluhatshëm bullgar. Por, së bashku me këtë, mendoj se arsyet për këtë janë shumë më të thella”, potencoi Stefan Deçev – analist nga Bullgaria.

Dimitar Beçev nga Këshilli Atlantik vlerëson se kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të depolitizohet dhe se komisionet duhet të punojnë pa afat.

“Komisionet nuk duhet të kenë deadline. Ata duhet të punojnë në afat të gjatë. Vlerësoj se në këto bisedime duhet të shkohet më gjerësisht dhe të kyçen edhe historian nga vendet tjera jo vetëm nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, për shkak se sipas meje kjo është kontradiktore”, tha Dimitar Beçev nga Këshilli Analitik.

Qëndrim të kundërt patën analisti Lupço Petkovski dhe analistët bullgar Stefan Deçev dhe Konstantin Pavllov, të cilët thanë se një gjë e tillë nuk është e nevojshme.

“Ne jemi të pjekur. Duhet të ndalojmë me atë narrativ të sjelljes joserioze se na duhet intervenim nga të huajte, ndihmë apo intervenim që të kuptohemi. E pamë se sa jemi të pjekur në parim edhe me negociatat dhe Marrëveshjen e Prespës”, u shpreh Lupço Petkovski – analist nga Maqedonia.

Analistët bullgar u pajtuan se deklaratat e fundit të zv.kryeministrit dh ministrit bullgar të mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, janë arrogante dhe nënçmuese. Duke i komentuar bisedimet e djeshme të delegacioneve të RMV dhe Bullgarisë në Sofje, Karakaçanov theksoi se nuk ka kompromis për çështjet që janë në lidhje me historinë bullgare.