Amerika do të forcojë pozicionet në Evropë me 3 mijë trupa shtesë

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë 2 mijë trupa shtesë në Evropë dhe po ridislokojnë 1000 të stacionuar tashmë në Gjermani për të forcuar sigurinë e aleatëve të saj të NATO-s.

Rusia i ka përshkruar dislokimet si “shkatërruese”

Shumica e 2 mijë trupave shtesë që do të fluturojnë nga Karolina e Veriut, do të vendosen në Poloni, me rreth 300 që do të shkojnë për në Gjermani.

Ndërkohë, 1000 trupa të stacionuara tashmë në Gjermani do të dërgohen në Rumani.

Për më tepër, 8 mijë e 500 forca në ShBA mbeten në “gatishmëri të shtuar” dhe “gati për të vepruar” për të mbështetur Forcën e Reagimit të NATO-s nëse është e nevojshme.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha se ata “vazhdojnë të rishikojnë qëndrimin e forcave tona dhe situatën në Evropë, pasi graviteti i kësaj situate kërkon vëmendjen tonë të plotë”.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, shtoi se kjo dërgon një “sinjal të qartë” se ShBA “nuk do të tolerojë agresionin” kundër aleatëve të saj.

Lëvizjet e trupave vijnë mes tensioneve me Rusinë. Uashingtoni akuzon Moskën se është në prag të pushtimit të Ukrainës pasi grumbulloi qindra mijëra ushtarë dhe pajisje ushtarake përgjatë kufirit të tyre të përbashkët gjatë disa muajve të kaluar.