Ambasadorja Aggeler ka rikthyer shpresën në shoqërinë tonë: zhgënjimi eventual do të ishte fatal për Maqedoninë e Veriut

Shkruan: Arben Fetai (Drejtor i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi)

Korrupsioni bren themelet e shoqërive demokratike. Ai e bën qeverisjen më pak efektive, shpërdoron burimet publike dhe përkeqëson pabarazitë në qasjen në shërbime, duke e bërë më të vështirë për familjet të kujdesen për të dashurit e tyre… Korrupsioni është një rrezik për sigurinë tonë kombëtare dhe ne duhet ta njohim atë si të tillë.

Me këto fjalë, Presidenti amerikan Joe Biden lëshoi më 3 qershor 2021 një memorandum presidencial që e shpalli luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare amerikane. Për herë të parë, SHBA-të u bënë me një strategji presidenciale për të luftuar korrupsionin në vendet partnere.

Brenda javës, Presidenti Biden firmosi një urdhër ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, i cili zgjeron mundësinë e sanksioneve amerikane për të përfshirë edhe korrupsionin krahas minimit të marrëveshjeve të ndryshme rajonale. Ky urdhër ekzekutiv bazohet në premisën se korrupsioni tanimë endemik në vendet e Ballkanit Perëndimor është bërë pengesa kryesore për integrimin e tyre në institucionet transatlantike. Kjo gjë “përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-ve”, krahas përpjekjeve të Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj antiperëndimor në rajon.

Për të zbatuar këto politika presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Presidenti Biden emëroi Angela Aggeler për ambasadore të SHBA-ve në Shkup. Ambasadorja Aggeler, një diplomate karriere e cila ka qenë në detyrë në Shkup gjatë mandatitit të Ambasadorit Philipp Reeker, gjatë dëgjimit të saj në Kongresin amerikan theksoi se prioritet i prioriteteve për të do të jetë lufta e pakompromistë kundër korrupsionit dhe llogaridhënia nga të korruptuarit.

Mesazhi drejtuar qeverisë së Shkupit ishte i qartë: është mbushur kupa e korrupsionit dhe ka mbaruar koha kur SHBA-të, për arsyje gjeostrategjike, mbyllnin njëri sy karshi rrëshqitjes korruptive të Maqedonisë së Veriut.

Logjikisht, deklaratat e para publike të Ambasadores Aggeler ishin goditëse dhe fokusoheshin në korrupsionin e nivelit të lartë. Ambasadorja ngriti dyshime për ndërhyrje politike në përzgjedhjen e Islam Abazit në krye të Prokurorisë për krim të organizuar dhe dërgoi porosi të qarta rreth pritshmërive të SHBA-ve: zhbërja e korrupsionit, dënimi i të korruptuarve dhe fundi i pandëshkueshmërisë.

Se kemi të bëjmë më një ndërrim paradigme, kjo u vërtetua ende pa u bërë një muaj nga fillimi i mandatit të Ambasadorës Aggeler kur kjo e fundit njoftoi më 6 dhjetor se ekipi i sanksioneve nga Washingtoni kishte zbarkuar në Shkup për të hetuar rastet korruptive në vend, duke sinjalizuar kështu zgjerimin e listës së sansioneve amerikane ndaj kleptokratëve të Maqedonisë së Veriut.

Qasja direkte e Ambasadores amerikane liroi edhe fjalën e kolegëve të saj evropianë, duke nxitur kështu një konsensus diplomatik për të përballur qeverinë SDSM-BDI me bilancin e saj katastrofik dhe mungesën totale të vullnetit politik për të lufutar korrupsionin.

Për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare, ky kapërcim retorik nga paraqitja e Maqedonisë së Veriut si shembull rajonal, në pranimin se korrupsioni është bërë endemik gjatë 5 viteve të fundit, para së gjithash është një rrëfim dështimi në adresimin e problemit më të madh të vendit.

Pra, edhe përkundër qindra milionave investimeve evropiane në dekadat e fundit, fuqia transformuese e BE-së është dëshmuar e dobët dhe shpeshherë kundërproduktive duke i dhënë përkrahje politike një kaste thellësisht të korruptuar dhe duke mos përdorur kushtëzimin e nevojshëm negativ për të nxitur reforma të mirëfillta.

Veprimet e Kalasë kanë zgjuar shakallë të lartë optimizmi te qytetarët e vendit dhe në radhet e opozitës. Por çka tani?

Me të drejtë, qytetarët nuk presin asgjë nga drejtësia vendore e cila është thellësisht e kriminalizuar dhe tërësisht e kapur nga partitë në pushtet. Përballë kapitullimit shtetëror para krimit dhe korrupsionit, SHBA-të shihen si aktori i vetëm që mund të imponojnë zgjidhje.

Shumica e qytetarëve shpresojnë se misioni i ekipit të sanksioneve do të rezultojë me zgjerimin e listës së sanskioneve amerikane përtej aktorëve të pensionuar si Gruevski dhe Mijallkov, për të përfshirë peshqit e mëdhenj të partive në pushtet, veçanërisht në radhet e BDI-së e cila për shkak të konsideratave gjeostrategjike të imponuara nga aritmetikat zgjedhore, deri më tani është kursyer nga miqtë ndërkombëtarë.

Si pasojë, edhe përkundër dhjetëra rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, me në krye rastin Magyar Telekom, që kanë përcjellur qeverisjen njëzetvjeçare të BDI-së, është krijuar bindja në imagjinatë kolektive se kjo parti është e paprekshme, duke kontribuar kështu në mbjelljen e frikës dhe heshtjen e thuajse çdo zëri kritik në shoqërinë civile shqiptare në vend.

Rruga përpara është mjaft e thjeshtë dhe nuk është nevoja të shkohet larg për të gjetur shembuj të suksesshëm të luftës së efektshme kundër korrupsionit. Mjafton të shikohet nga Tirana.

Atje, SHBA-të kanë sanksionuar edhe shefin e opozitës dhe kanë nxitur një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi, përfshirë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe kanë ndihmuar në themelimin e gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë dënuar qindra zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë ish-ministra, kryetarë komunash, gjyqtarë, prokurorë dhe policë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë dënuar 228 persona nga gjithsej 237 të paditur, apo një shkallë dënimi prej 96%.

Krahasimi me Maqedoninë e Veriut është i dhimbshëm. Te ne, Presidenti i vendit dezerton nga lufta kundër korrupsionit dhe thotë publikisht se nuk kemi kapacitet për veting me këtë brum që kemi në sektorin e drejtësisë. Te ne, sipas statistikave të publikuara gjatë javëve të fundit, drejtësia nuk e ka shqyrtuar asnjë nga 58 rastet e parashtruara nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit në 4 vitet e fundit, dhe ka zgjidhur vetëm 0.015% e rasteve të korrupsionit. Thënë shkurt, shteti i së drejtës ka kolapsuar.

Andaj, rruga përpara është e trasuar nëse me të vërtetë SHBA-të duan të çrrënjosin korrupsionin në vendin tonë. Maqedonisë së Veriut i nevojitet një shok terapi, duke filluar me futjën në listën e zezë amerikane për të larguar nga skena aktorët e korruptuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë. Por ky do duhej të ishte vetëm hapi i parë i për moralizimin e jetës publike dhe reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke përfshirë :

  • Një pako legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Këtu hyn ligji për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimi i gjykatave speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (duke integruar shkallën e parë dhe të dytë në një ombrellë institucionale), krijimi i këshillit të emërimeve në drejtësi dhe të inspektoratit të lartë të drejtësisë, përgjegjës për zgjedhjen, avancimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik. Në këto institucione duhet medoemos të ketë edhe komisionerë ndërkombëtarë.

 

  • Miratimin urgjent të Ligjit për Zyrën për Rikuperimin e Pasurive. Konfiskimi i aseteve kriminale duhet të bëhet prioritet strategjik dhe të gjeneralizohet në procedurat penale për lëndë të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Në vitin 2021, kanë qenë vetëm katër raste të konfiskimit të pasurisë së paligjshme, me vlerë të përgjithshme prej rreth 256,000 euro.

 

  • Një pako legjislative për moralizimin e jetës publike, bazuar në përvojën franceze të Presidentit Macron, duke përfshirë ligjin për vetingun e integritetit dhe pasurisë zyrtarëve publik, si dhe një ligji përparandalimin e nepotizmit nga deputetët, ministrat, drejtorët e agjencive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike si dhe zyrtarëve tjerë të lartë.

 

  • Dyfishimin e investimeve publike në gjyqësor, në prokurorinë publike dhe në institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit. Nivelet aktuale të financimit, me 37.7 milionë euro për sistemin gjyqësor, 10.8 milionë euro për Prokurorinë Publike sqarojnë në masë të madhe kolapsin dhe paaftësinë e këtyre institucioneve për të përmbushur obligimet e tyre.

Tani është koha për veprime konkrete dhe të guximshme karshi shtetit të së drejtës dhe luftimit të korrupsionit. Sytë e të gjithëve janë derejtuar kah Kalaja.

Sa më e lartë ngjitja, aq më e vështirë rënia. Mungesa e veprimeve konkrete për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë gjatë muajve në vijim, do të thellonin edhe më tej apatinë politike dhe mosbesimin ndaj institucioneve, por edhe më keq, ndaj çdo përpjekje të partnerëve ndërkombëtarë për transformimin e domosdoshëm të politikëbërjes në vend.

Zhgënjimi eventual që do të vinte nga mospërmbushja e pritshmërive të krijuara nga Ambasadorja Aggeler do të ishte katastrofik për shoqërinë tonë, e cila ka një histori të gjatë të dëshpërimit që nga shpallja e pavarësisë së vendit e deri në çbërjen e Prokurorisë speciale antikorrupsion.

Një zhgënjim i ri do të ishte fatal për të adhmen e vendit dhe do të thellonte më tej edhe largimin e njerëzve më të kualifikuar, kur veçmë janë larguar 700 mijë qytetarë ne dekadën e fundit.

Madam Ambassador, you are our last hope. We count on you!