Ambasadori i Palestinës në Beograd e paralajmëron Kosovën pas hapjes së Ambasadës në Jerusalem

Ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan, ka thënë se Kosova me vendimin për të hapur Ambasadën në Jerusalem ka thyer të drejtat e popullit palestinez, e po ashtu ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Nabhan ka shtuar po ashtu se Kosova ka marrë edhe veprim të kundërt me pozicionin që e ka Bashkimi Evropian sa i përket Jerusalemit.

“Është një sulm ndaj të drejtave tona dhe njerëzve tanë. Kosova kështu po i shkel të drejtat e popullit palestinez për shtetin dhe kryeqytetin e saj. Prishtina po shkel po ashtu të drejtën ndërkombëtare, sepse Jerusalemi është okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, dhe që një vend të bëhet anëtar i organizatave ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, duhet t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Nebahan në intervistë për “Kosovo Online”. “Sigurisht se unë jam në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Palestinës dhe duke filluar nga sot, ne do të ndërmarrim hapa që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës, në nivelin e Ligës Arabe dhe Bashkëpunimit Islamik. Kosova nuk është anëtare e asnjërës prej këtyre organizatave, por shumë prej tyre e kanë pranuar të ashtuquajturën Kosovë, dhe do të kërkojmë nga ato vende që tash ta shqyrtojnë vendimin e tyre për pranimin e Kosovës”.

Reagime ndaj hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem pati edhe nga Turqia.