Ambasadori gjerman: LDK dhe Vetëvendosja kanë bërë punë të mrekullueshme

Ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt është shprehur shumë i lumtur dhe krenar që sot është inauguruar Parku Inovativ Trajnues në Prizren që është bashkëpunim gjermano-kosovar.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mundësuar këtë projekt, derisa ka lavdëruar punën e partnerëve të koalicionit qeverisës LDK dhe Vetëvendosje.

“Do të doja të bëja disa falënderime. Do të doja të falënderoja kolegët e GIZ-it që kanë bërë një punë të mrekullueshme, ashtu si edhe Ministrinë e Financave. Ne kemi punuar bashkë për dy vjet që të vijmë deri te ky moment ku mund të nisim më në fund punën”.

“Puna në ekip është gjithmonë e rëndësishme. Jam shumë i lumtur që kjo përpjekje e punës në ekip Kosovë–Gjermani ka arritur në këtë pikë sot. Një falënderim për Zyrën e Kryeministrit, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat. Dua të theksoj faktin se të dyja LDK dhe Vetëvendosje kanë bërë punë të mrekullueshme për të qenë këtu”.

Ambasadori gjerman në Kosovës ka thënë se sfidat e mëdha përballohen vetëm duke punuar së bashku, njofton Klan Kosova.

“Sfidat e mëdha tejkalohen me punë në ekip. Askush nuk mund t’i tejkalojë vetë – as këtu në Kosovë, as në Gjermani dhe as në mes të dyja vendeve tona. Është gjithmonë e rëndësishme që punët të kryhen duke qenë bashkë, për hir të njerëzve”.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që mund të fillojmë punën, duke falënderuar të gjithë ata që janë këtu dhe të gjithë ata që janë nëpër botë dhe kanë qenë të përfshirë në këtë projekt”.