Ambasadorët e sapoemëruar do të shpalosin platformat e tyre

Gjashtë nga ambasadorët e sapoemëruar të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të referojnë para anëtarëve të Komisionit kuvendor për politikë të jashtme.

Platformat e veta për aktivitete diplomatike do t’i prezantojnë ambasadorët Teuta Agai Demjaha në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Shpresa Jusufi në përfaqësinë diplomatike-konsullare në Prishtinë, Shaban Jashari në përfaqësinë diplomatike-konsullare në Doha, Svetllana Geleva në Misionin e Këshillit të Evropës, Strasburg, Danço Markovski në përfaqësinë diplomatike-konsullare në Tiranë dhe Faton Bejta në përfaqësinë diplomatike-konsullare në Kopenhagë.

Qeveria, nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar, në mbledhje të mbyllur e konfirmoi listën me 19 propozime për ambasadorë të emëruar në Athinë, Beograd, Zagreb, Tiranë, Bruksel, Hagë, Moskë, NATO, Këshilli i Evropës (Strasburg), KB (Gjenevë), Doha, Pragë, Nju-Delhi, Romë, Tel Aviv, Kopenhagë, Vatikan, Prishtinë dhe Pekin.

Për disa nga kandidatët për ambasadorë pati edhe reagime në opinion për kompetencat e tyre për ta përfaqësuar vendin, si për atë në Pekin, por shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov nga fundi i vitit të kaluar tha se prej qershorit të vitit 2017, deri më sot, 87,5 për qind e diplomatëve janë të karrierës, për dallim nga periudha prej vitit 2006 deri në vitin 2017 kur ajo përqindje ishte 33.

Dimitrov shprehi kënaqësi nga zgjidhjet e tanishme, duke përmendur se ata janë kombinim i suksesshëm mes parimeve dhe artit të së mundurës.