Ambasada e SHBA-së në Shqipëri: Kujdes me kandidatët dhe aktivitetet zgjedhore

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, u është drejtuar me thirrje Qeverisë së Shqipërisë, institucioneve shtetërore dhe partive politike të zbatojnë rekomandimet e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 14 maj.

Apeli i Ambasadës amerikanë në Shqipëri lidhet me aktivitetet zgjedhore, fushatën dhe procesin zgjedhor.

“Ashtu siç ambasadorja ( e SHBA-së në Shqipëri) Yuri Kim diskutoi kohët e fundit me drejtuesit e partive, partitë politike duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade për mediat.

Ky qëndrim i Ambasadës amerikane vjen në ditën kur Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i propozoi Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve ndëshkime administrative për 3 kryebashkiakë, të Fierit, Librazhdit dhe Përrenjasit për zhvillimin e aktiviteteve politike në kundërshtim me rregullat.

Megjithatë përfaqësuesit e shoqërisë civile deklaruan se kanë denoncuar me dhjetëra raste të ngjashme dhe presin që të ketë më shumë masa ndëshkimore.

Ambasada amerikane në Tiranë sjell në vëmendje raportin e ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare të prillit të vitit 2021, ku është theksuar se pati raportime të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale.

Këtë fundjavë, pritet që partitë kryesore në Shqipëri të përcaktojnë kandidatët e tyre për 61 bashkitë e vendit. Të hënën , më 27 mars, është afati i fundit për regjistrimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, ka deklaruar se, si kandidatë të kësaj partie, do të rikonfirmohen shumica e kryebashkiakëve aktualë, ndërsa një numër të vogël do ta përbëjnë emrat e rinj.

Sa i përket opozitës situata është krejt tjetër. Brenda Partisë Demokratike ka debat të ashpër se cila prej dy grupimeve – ata që mbështesin Enkelejd Alibeajn apo ata që mbështesin Sali Berishën – përfaqëson demokratët.

Institucionet zgjedhore njohin zyrtarisht Partinë Demokratike, që përfaqësohet nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie, Enkelejd Alibeaj, duke iu referuar regjistrit të partive politike të regjistruar në gjykatë.

Grupimi i Berishës e ka përcaktuar një pjesë të mirë të kandidatëve për zgjedhjet e 14 majit, por nuk mund t’i regjistrojë ata, pasi nuk ka as logo dhe as vulë që identifikohet me Partinë Demokratike. Në këto kushte është i detyruar t’i regjistrojë kandidatët nën logon e një koalicioni që drejtohet nga partia e majtë e Ilir Metës, “Partia e Lirisë”.

Nga ana tjetër Partia Demokratike zyrtare, nën drejtimin e Alibeajt, nuk ka ende asnjë emër për të garuar në zgjedhje, por u ka bërë thirrje kandidatëve të Berishës të mos zgjedhin të garojnë nën siglën e një partie të majtë (partisë së Ilir Metës), por të garojnë nën logon e Partisë Demokratike.

Kjo situatë në partinë më të madhe opozitare në Shqipëri, lidhet me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila e shpalli “non grata” Sali Berishën, në maj të vitit 2021.

Pak ditë para shpalljes së kandidatëve zyrtarë për garën që do të zhvillohet për 60 bashkitë e Shqipërisë, Ambasada amerikane në Tiranë u është drejtuar partive politike me thirrje.

“Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritjet e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia kundër korrupsionit e presidentit (të SHBA-së, Jo) Biden, identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare”.

Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane në Shqipëri thekson se SHBA-ja mbështetë me forcë kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të forte dhe nxit të gjithë drejtuesit dhe institucionet që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë.

Aktualisht thuajse të gjitha bashkitë e vendit drejtohen nga Partia Socialiste, për shkak se opozita i bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Procesi i 14 majit shënon zgjedhjet e nënta lokale që do të mbahen në Shqipëri, prej rënies së komunizmit, pa përfshirë këtu zgjedhjet e pjesshme lokale.