Ambasada e SHBA-së në Kosovë, nikoqire e debatit për asociacionin

Të martën, Ambasada amerikane në Prishtinë do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. LDK-ja tha se në këtë takim “do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”, por në lidhje me Asociacionin, kjo parti tha se vlerëson se kjo çështje është “kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”. Edhe PDK-ja ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Ambasada Amerikane.Ndërkohë Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe. Ky draft-statut thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Tutje theksohet se Asociacioni do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale. Sipas draftit, statuti i Asociacionit është akti më i lartë juridik i Asociacionit duke shtuar se statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Kosovës. Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë pushtetin e një Qeverie rregullore sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Drafti përcakton se Kuvendi i Asociacionit është organi përgjegjës për ndryshimet e Statutit. Gjithashtu sipas këtij drafti, Asociacioni ka të drejtën e vet buxhetin integral, llogaritë bankare dhe ka të drejtë të zotërojnë pronë dhe angazhohen në transaksione financiare. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas, më 2015, mbi parimet për themelimin e tij. Po në këtë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një-etnik. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin. /Alsat.mk