Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar pas ekstradimit të shtetasit kosovar, Ardit Kutleshi, 28 vjeç, i cili në SHBA ka pranuar fajësinë lidhur me operimin e platformës ilegale “Rydox”.
Sipas autoriteteve amerikane, platforma përdorej nga kriminelët kibernetikë për blerjen, shitjen dhe shkëmbimin e të dhënave personale të vjedhura, si dhe për sigurimin e mjeteve për kryerjen e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve.
Ambasada amerikane e ka cilësuar rastin si një tjetër shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës në luftën kundër krimit kibernetik transnacional.
“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA-Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik transnacional”, thuhet në reagim.
Ambasada ka falënderuar Zyrën e Prokurorit Special të Kosovës, institucionet kosovare dhe të gjithë të përfshirët për bashkëpunimin në sjelljen e rastit para drejtësisë.



