Amal Clooney ka folur hapur se si karriera dhe jeta e saj personale kanë ndryshuar që kur u martua me George Clooney.
Amal një avokate e suksesshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, u martua me aktorin 65-vjeçar në vitin 2014 dhe çifti bashkëthemeloi Fondacionin Clooney për Drejtësi në vitin 2016.
Edhe pse vazhdoi të punonte në raste të rëndësishme ligjore, ajo pranoi se jeta e saj kishte ndryshuar në mënyrë drastike, veçanërisht pasi ata patën binjakët Alexander dhe Ella në vitin 2017, të cilët tani janë nëntë vjeç, shkruan People.
Balancimi i jetës private dhe publike
Duke folur në eventin Cartier Dialogue në Bangkok më 9 qershor, Amal shpjegoi se si dikur ishte në gjendje të ndante punën nga jeta personale. “Më parë kisha një jetë pune dhe një jetë personale, të cilat mund të dukeshin krejtësisht ndryshe dhe mund t’i mbaja të ndara. Por kur u martova, kjo ndryshoi goxha”, tha ajo.
“Në fillim, isha disi e mbingarkuar nga ky perceptim njëdimensional dhe mendova me vete: ‘Epo, nuk mund ta imagjinoj veten me këtë fustan ose duke e bërë këtë sepse duhet të shkoj në gjykatë të hënën.'”
Ajo shtoi se me kalimin e kohës mësoi t’i shihte gjërat ndryshe. “Por e dini, nuk është aq e rëndësishme sa të jetosh jetën tënde. Në fund të fundit, nëse je i mirë në atë që bën, ose do të duket, ose jo. Nuk doja ta lija këtë faktor të më pengonte të bëja gjërat që ishin të rëndësishme për familjen ose marrëdhënien time”, theksoi ajo.
“Ishte më e lehtë kur mund të vendosja vetë se sa ekspozim publik do të kisha. Ishte diçka e re me të cilën duhej të mësoja të përballesha.”
Përmes fondacionit të tyre, Amal dhe George ofrojnë ndihmë ligjore për vajzat dhe gratë e reja në vendet e varfra në Afrikë dhe në mbarë botën. Ata janë veçanërisht aktivë në Malavi, ku, sipas Amal, një në dhjetë vajza nën moshën 15 vjeç detyrohet të martohet dhe ka vetëm 800 avokatë në të gjithë vendin.
Edhe pse Amal udhëtonte shpesh në zona të rrezikshme për punë, George Clooney i tha People në tetor të vitit të kaluar se të dy kishin reduktuar aktivitete të tilla pasi kishin lindur fëmijë.
“Thjesht nuk mund ta vësh veten në rrezik siç bëje më parë”, tha Clooney. “Unë dhe Amal na u desh të ndryshonim planet tona për vendet ku do të udhëtonim. Më pëlqente të shkoja në vende të rrezikshme. Më pëlqente të shkoja në malet Nuba, Darfur dhe Abyei, dhe ato ishin zona lufte.”
“Kjo ishte emocionuese për mua. Amal, nga ana tjetër, kaloi dy vjet në një bunker në Bejrut duke u marrë me çështje gjyqësore. Pasi lindëm fëmijë, na u desh të vendosnim të mos e bënim më këtë,” vazhdoi aktori. “Disa rregulla thjesht duhet t’i ndryshosh.”
Çifti tani jeton në një pronë në Francë, por herë pas here shfaqen në evente publike, siç është festimi i fundit i 50-vjetorit të King’s Trust në Londër në maj, ku morën pjesë në një darkë gala.





