Alsat zbulon dokumentet: Shefi i Policisë në Strugë ka qënë i dënuar me kusht

Ministria e Punëve të Brendshme nuk sqaron kriteret për zgjedhjen dhe emërimin e kryeshefave të rinj të Sektorëve për Punë të Brendshme dhe Njësive për Punë të Brendshme. Alsat ka siguruar dokumente në të cilat vërehet vendim gjyqësor për kryeshefin e policisë në Strugë Dritan Ajro, i dënuar me kusht për 2 vite. Ajro dënohet për shkak se në vitin 2009, me bashkëpunëtorë të tjerë nëpunës të policisë, ka kryer mitmarrje prej 70 eurosh në vendkalimin Qafëthanë. Më herët MPB-ja kishte ngritur padi ndaj tij edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në dy raste, një në vitin 2005 dhe një tjetër në vitin 2007. Në vitin 2012, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë vendimin e MPB-së për shkarkimin e tij dhe ka kthyer në punë Ajron. Ai u emërua kryeshef i Strugës në dhjetor të vitit 2019, nga ministri i atëhershëm Oliver Spasovski.

Personi i apostrofuar, kryeshefi i policisë së Strugës Dritan Ajro thotë se kjo ka prapavijë politike. Ai sqaron se për asnjërën nga paditë e tjera nuk ka vendim gjyqësor për fajësinë e tij. Për rastin e mitmarrjes në Qafthanë, Ajro thotë se është rast i montuar qëllimisht për diskreditimin e tij.

Gjykata e Apelit e ktheu vendimin e Gjykatës së Shkupit në rishqyrtim dhe kërkuan dëshmi dhe dëshmitar për fajësinë tonë. Pasi nuk i gjetën dëshmitë, na kanë detyruar ta pranojmë dënimin me kusht për “rastin e Qafëthanës”, në të kundërt do të na dënonin me burg efektiv. Ku keni parë rast për mitmarrje ku nuk ka mitdhënës?- deklaroi  Dritan Ajro – Kryeshef i policisë së Strugës,

Rasti i ngjashëm është edhe me kryeshefin e Sektorit për Punë të Brendshme të Ohrit, Ilija Mileski. Mileski është i dënuar me dy vjet me kusht për veprën penale “Malltretim dhe veprime të tjera të ashpra, jonjerëzore, nënçmime dhe dënime”. Ai është emëruar kryeshef i policisë së Ohrit në janar, nga ministri teknik Naqe Çulev. Me Mileskin nuk arritëm të vendosim kontakt. Ministria e Brendshme tashmë disa ditë ka zgjedhur të qëndrojë e heshtur dhe të mos u përgjigjet pyetjeve të Alsat me të cilat kërkuam sqarime për rastet, epilogun e procedurave ligjore dhe përgjegjësinë para rasteve të këtilla./ALSAT/