Allegri e pranon që kishte debat me Paredesin, ka disa fjalë edhe për Pogban

Massimiliano Allegri ka thënë se Paul Pogba është në dispozicion kundër Sportingut, ndërsa ai e pranoi që debatoi me Leandro Paredes të hënën, por vlerësoi reagimin e mesfushorit argjentinas.

Bianconerët presin Sportingun në “Allianz Stadium” të Torinos të mërkurën në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Evropës.

Allegri e vlerësoi lartë ekipin portugez, duke thënë se ata e kanë eliminuar Arsenalin nga kjo garë.

Tutje tekniku italian u ndal te Paul Pogba, i cili ka luajtur vetëm 35 minuta për Zonjën e Vjetër këtë sezon.

“Paul është ftuar, do të shohim nesër. Është e rëndësishme që ai përfundoi disa seanca stërvitore me ekipin pa u ndalur. Do të ishte e rëndësishme ta kishim atë në maksimumin e tij në pjesën e fundit të sezonit. Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë”, ka thënë Allegri në lidhje me francezin.

Allegri tutje konfirmoi se ishte përballur me Leandro Paredesin të hënën pas një seance të hapur stërvitore në Continassa. Argjentinasi është i pakënaqur me minutat .

“Kishte një bisedë me Leandron, ne e donim atë me çdo kusht dhe e kuptoj zhgënjimin, është pjesë e lojës. Ajo që ka më shumë rëndësi është se të gjithë janë të fokusuar në 60 ditët e fundit të sezonit. Vendimet e mia i bazova në të mirën e ekipit. Unë u besoj atyre që janë në dispozicion. Jam i lumtur që ka pasur këtë reagim, do të thotë se ai dëshiron të bëjë mirë në dy muajt e fundit”, ka thënë Allegri.

Në fund ai tha se është i lumtur me ecurinë e klubeve italiane në garat evropiane.