Aliti: Ligji për UÇK-në, në dobi të të gjithë qytetarëve

Ish komandati i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Rafiz Aliti, thotë se BDI-ja ka bërë shumë punë për ri-socializimin e ish ushtarëve të UÇK-së, “siç e parashikonte Marrëveshja e Ohrit”.

Megjithatë, ai e ka pranuar se edhe përkundër përpjekjeve të shumta, BDI-ja nuk ka arritur ta rregullojë me Ligj statusin e ish pjesëtarëve të UCK-së, siç ndodhi me “branitellat” menjëherë pas konfliktit të vitit 2001.

Aliti për dështimin e këtyre përpjekjeve akuzoi partitë maqedonase, për të cilat tha se gjithmonë kanë kundërshtuar zgjidhjen ligjore për pjestarët e UÇK-së.

Në një intervistë për Alsat, Aliti zbuloi se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka biseduar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për një zgjidhje ligjore e cila do t’i përfshinte të gjitha kategoritë që kanë pësuar në konfliktin e armatosur të vitit 2001, por pa sqaruar nëse është arritur ndonjë marrëveshje mes partnerëve aktual të qeverisë.