Alioski i kënaqur me golin dhe fitoren e thellë të Leedsit

Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, shqiptari Ezgjan Alioski ka mbetur i kënaqur me golin, por edhe fitoren e thellë të Leeds Unitedit 5:0 kundër West Bromwichit të martën mbrëma në kuadër të Premier Leagues.

Alioski ishte i pazëvendësueshëm te Leedsi në këtë ndeshje dhe shënoi golin e dytë për ekipin anglez në minutën e 31-të. Për Alioskin ky ishte goli i dytë në Premier League dhe i tretë këtë edicion në 15 paraqitje.

Në fakt, 28-vjeçari ishte ndër lojtarët më të mirë te Leedsi në këtë fitore bindëse. Gjatë ndeshjes ndaj WBA-së, ai pati 105 prekje të topit dhe 85 pasime me saktësi 87 për qind si dhe fitoi nëntë duele.

“Leedsi aplikon një lojë atraktive dhe fizikisht të fortë. Jam shumë i lumtur si për golin ashtu edhe fitoren”, ka thënë Alioski që ka shtuar se çdo ditë po mëson nga trajneri i Leedsit, Marcelo Bielsa. “Mundohem çdo ditë të mësoj diçka të re nga trajneri. Ai më jep shumë detaje që të përmirësohem në mbrojtje pasi në sulm po tregohem efikas”.

Alioski në vitin 2017 iu bashkua Leedsit nga Lugano dhe me ekipin anglez ka kontratë deri në fund të këtij edicioni.